Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja me armë zjarri mes kreut të njësisë administrative Kallmet në Lezhë, Besnik Simonit dhe Altin Markut, teksa të dy u plagosën një ditë më parë. Bëhet me dije se edhe zyrtari i pushtetit vendor ka qenë i armatosur ndërsa në vendngjarje u gjetën 19 gëzhoja. Simonit iu komunikua sot masa e arrestit në Spitalin e Traumës, ndërsa policia nuk e ka gjetur ende armën me të cilën ai ka qëlluar në drejtim të Markut.
Report Tv mëson se zanafilla e konfliktit mes Simonit dhe Markut nis një vit më parë kur Altin Marku tentoi të prishte një takim elektoral të PS. Duket se sherri i një viti më parë nuk ishte harruar nga Marku pasi ka shkuar serish ditën e djeshme në zyrën e Simonit për të folur me të, por sherri mes tyre degjeneroi deri në përdorimin e armës.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:00 të ditës së djeshme , ku Marku i bëri pritë në mes të rrugës funksionarit lokal, duke qëlluar disa herë brenda makinës me të cilën udhëtonte ai, ndërsa Simoni iu përgjigj po ashtu me të shtëna arme. Fatmirësisht nga përplasja me armë mes tyre nuk pati qytetarë të plagosur. Simoni mori tre plumba dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Marku mori një plagë në krah dhe është dërguar po ashtu te Spitali i Traumës.
Marku u kap 4 orë pas ngjarjes, ndërsa ishte fshehur në banesën e një të afërmi të tij në fshatin Kallmet, ku policia gjeti edhe armën me të cilën ai plagosi Simonin.
Simoni dhe Marku akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
g.kosovari