Shumë të rinj, disa të rekrutuar dhe në vijën e parë pa trajnim, kryesisht të ardhur nga vendet më të largëta të Rusisë. Me paratë e alokuara për modernizimin e forcave të armatosura ruse “të vjedhura dhe të investuara në jahte”, thotë ish-ministri i Jashtëm Kozyrev. Më i riu nga të identifikuarit deri më tani kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. David Arutyunyan vdiq në rajonin e Donbass, i goditur nga një cifël granate.
Një nga djemtë e shumtë rusë të të ashtuquajturit brezi i Putinit, i dërguar për t’u “therur” në Ukrainë, sipas dëshmive gjithnjë e më të shpeshta të mbledhura në vendlindjet e këtyre ushtarëve të papërvojë. Disa ishin edhe me rekrutim, 12 muaj stazh në të cilat mezi mësohen disa rregulla elementare. Shumë të tjerë që luftojnë rreth Kievit, përballë Mariupolit, në Kharkiv janë teknikisht “profesionistë”, por kjo do të thotë vetëm se gjatë vitit të shërbimit ose në fund të shërbimit të tyre ushtarak ata u bindën të regjistroheshin për të qëndruar në ushtrinë ruse.
Megjithatë, ata nuk patën ndonjë stërvitje të veçantë dhe përfunduan menjëherë në batalionet e angazhuara në “manovra”, të cilat sipas versionit që Kremlini përsërit prej muajsh, nuk do të rezultonte kurrë në pushtim. Në vend të kësaj, nga një ditë në tjetrën ata u gjendën përtej kufirit përballë njësive të armatosura të trajnuara mirë ukrainase dhe sigurisht shumë më të mira cilësisht. Davidi po përpiqej të shpëtonte një shok pasi automjeti i tyre i blinduar u godit. Ai erdhi nga Kyakhta, në jug të liqenit Baikal, jo shumë larg kufirit me Mongolinë. Ilya Kubik ishte gjithashtu 18 vjeç dhe vinte nga qyteti i Bratsk, në Siberi.
Vjen pastaj nëntëmbëdhjetë vjeçari Anatolij Torsunov, nga rajoni i Permit; dhe bashkëkohësi Alexei Kuzmin, nga Magnitogorsk, rrëzë Uraleve. Alexei Martynov, i cili ishte gjithashtu një vendas nga Buryatia, si Davidi. Dhjetëra e dhjetëra emra që dalin teksa trupat kthehen në shtëpi dhe prindërit organizojnë varrimin. Ata lindën kur ideja e një Rusie demokratike dhe liberale, e ndërtuar mbi hirin e Bashkimit Sovjetik, tashmë po shuhej. Shpresat e ngjallura nga revolta popullore kundër puçistëve të vitit 1991 u shuan me varfërinë e madhe dhe kolapsin e viteve në vijim.
Putin u bë i njohur në vitin 1999 kur ringjalli krenarinë ruse si kryeministër me fushatën e tij kundër terroristëve çeçenë. “Do t’i ndjekim dhe në tualet,” premtoi ai. Dhe më pas ai theu Çeçeninë duke e rrafshuar Groznin në tokë. Rusia e këtyre të rinjve është një vend me liri të kufizuar, me një demokraci që sipas definicionit “udhëhiqet nga lart”, siç teorizoi një nga këshilltarët e presidentit në fillim të viteve 2000. Një komb krenar dhe i fuqishëm në letër por plot kalbësi. Ata që mund të shmangin shërbimin ushtarak u pëlqen murtaja, sepse e dinë që gjithçka ndodh në kazermë; se fëmijët në kohë paqeje dërgohen në vende absurde për të mbijetuar me racione të pakta ushqimore.
Modernizimi masiv i forcave të armatosura për të cilin janë shpenzuar miliarda euro ka ndodhur kryesisht vetëm formalisht. Ish-ministri i jashtëm Andrej Kozyrev shpjegoi: “Shumica e parave u vodhën dhe përfunduan të investuara në jahte të ankoruar në Qipro.” Mbi të gjitha, në ushtri përfundojnë fëmijët e varfër, ata që vijnë nga vendet më të largëta të vendit dhe që nuk kanë alternativa. Ashtu si Yegor Pochkaenko nga Belogorsk në Siberinë lindore që vdiq një ditë para se të mbushte 19 vjeç.
Në kontrolle nuk ka burra dhe kështu përdoret çdo mjet për të rritur shifrat edhe nëse gjeneralët e dinë mirë se të rinj të tillë të papërvojë janë pak të vlefshëm. Zyrtarisht rekrutët nuk duhet të shkojnë të luftojnë në një luftë që zyrtarisht nuk është luftë por Operacion Special Ushtarak. Por edhe Kremlini e ka pranuar se “ka pasur gabime”. Tashmë po mbërrijnë rekrutët e rinj, 134 mijë e 500 të cilët do të zënë vendin e atyre që do të marrin lejen. Është ndër këto që komandat tërheqin për të zëvendësuar humbjet. Në fund të fundit, thuhet se janë ushtarë që kanë bërë një vit naja. Më pas bëhen përpjekje për të regjistruar emigrantë nga Azia Qendrore që nuk kanë punë në qytetet e mëdha.
Organizata të ndryshme premtojnë shtetësinë ruse në këmbim të tre muajve në ushtri. Treqind të rinj nga Osetia e Jugut, të cilët tashmë kishin përfunduar në Ukrainë, kanë dezertuar dhe janë kthyer në shtëpi. Komiteti i Nënave të Ushtarëve që ka ekzistuar që nga lufta në Afganistan në vitet 1980 përpiqet të ndihmojë familjet. Shpesh ai arrin të marrë lajme për ukrainasit që kanë rënë, sepse rusët priren t’i lënë trupat në fushë.
Të rikuperuarit pjesërisht përfundojnë në morgjet bjelloruse për të mos krijuar shumë alarm në shtëpi. Por tani për tani nuk duket se kthimi i arkivoleve po thyen besimin e shumicës së rusëve te lideri i tyre. Mbështetja e Putinit është rritur më tej, deri në 83%, sipas sondazheve të pavarura. Dhe shumë prindër thonë se janë krenarë për fëmijët e tyre që luftojnë për atdheun e shenjtë: “Ai vdiq për ne. Ne duhet të vazhdojmë deri në fitore”, tha në radion Deutsche Welle Natalya, nëna e rreshterit Yevgeny të vrarë në betejën për aeroportin Hostomel, afër Kievit. Perktheu per Javanews.al J.Marena