Shfaqja me video e kreut të futbollit ukrainas, i veshur me një jelek të blinduar nga rrugët e Kievit, e dërgoi ndikimin e luftës së Rusisë në Kongresin e FIFA-s. “Ne kemi marrë rregullisht lajme të trishtuara për vdekjen e anëtarëve të komunitetit të futbollit ukrainas, – tha Andriy Pavelko në një mesazh të regjistruar për kongresin e Katarit, që përfshinte edhe delegatë nga Rusia, të enjten. – Ata janë vrarë nga raketat e agresorëve, nga një prej ushtrive më të mëdha në botë. Futbolli ka dalë në plan të dytë në vendin tonë”.
Kyiv priti finalen e Ligës së Kampionëve vetëm katër vite më parë. Pastaj, Botërori i futbollit u zhvendos në Rusi më 2018. Një Kupë Bote, të cilën presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ende e konsideroi si “një sukses të madh sportiv dhe kulturor”. “Natyrisht që nuk i zgjidhi problemet e botës, – tha Infantino. – Nuk zgjidhi problemet as në rajon, nuk krijoi një paqe të qëndrueshme”.
Infantino nuk e përmendi njeriun me të cilin u filmua duke xhongluar një top dhe duke e lavdëruar në vitin 2018: presidenti rus Vladimir Putin. Po kështu, kreu i FIFA-s nuk e fajësoi apo përmendi Rusinë në fjalimin e tij.
Pati një lutje për të ndaluar konfliktet dhe luftërat në përgjithësi në vend që të lëshohej në mënyrë specifike me mesazh të drejtpërdrejtë për Putinin, i cili i dha Infantinos medaljen e Urdhrit të Miqësisë së Rusisë, pas Kupës së Botës 2018. Në audiencën e Dohas ishte Alexey Sorokin, shefi ekzekutiv i komitetit organizativ të “Rusia 2018” dhe ish-anëtar i Këshillit të FIFA-s.
Kishte një shprehje keqardhjeje nga Sorokin kur pa videon e Pavelko: “Është e vështirë për ta, ne e kuptojmë këtë. Sidoqoftë, jam këtu për të mos diskutuar mbi politikën, aktivitetet ushtarake apo ndonjë gjë tjetër. Jam këtu për Kongresin e FIFA-s”.
Rusia nuk do të jetë në shortin për Kupën e Botës, sot, pasi u skualifikua nga FIFA për të luajtur ndërkombëtarisht për shkak të luftës. Ukraina ende mund të kualifikohet, por gjysmëfinalja e saj e “play-off”-it kundër Skocisë është shtyrë deri në qershor me shpresën se skuadra do të jetë në një pozicion për t’u rikthyer në fushë deri atëherë.
Për momentin, prioriteti për Ukrainën është mbrojtja e vendit nga Rusia, siç tha Pavelko në Kongresin e FIFA-s: “Fëmijët tanë kanë pësuar lëndime të tmerrshme psikologjike. Ndoshta futbolli do t’i ndihmojë ata të harrojnë tmerret e luftës. Unë besoj se çdo fjalë, lutje dhe veprim në mbështetje të Ukrainës dhe kundër luftës mund ta ndalojë atë.
Ne nuk kemi të drejtë të heshtim. Le të mos ketë alarme sulmesh ajrore në qytetet tona, por këngë tifozësh. Le të zhvillohen betejat jo në rrugë me armë, por në stadiume të mbushura me njerëz. Na nevojiten duele futbolli të ndershëm dhe spektatorët në tribuna le të shpërthejnë kur skuadra e tyre e preferuar shënon gol, jo bombat”.