Detaje ekskluzive janë mësuar nga ABC për arrestimin e të shumëkërkuarit Nuredin Dumani. Burime nga grupi hetimor, bëjnë të ditur për ABC, se menjëherë pas përplasjes më armë të ndodhur në Papër të Elbasanit pasditen e 29 marsit, janë vënë në përgjim dhjetra persona të dyshuara. Pikërisht këto përgjime kanë bërë që policia të bie në gjurmët e Nuredin Dumanit i cili pasi mbeti i plagosur në Elbasan, u nis për në Fier ku edhe kishte “strofullën” e fshehjes nga drejtësia.
Grupi hetimor ka njoftuar menjëherë grupet e tjera në qytetin e Fierit dhe kështu është bërë i mundur lokalizimi dhe më pas kapja e Nuredin Dumanit. Pasi kanë arrestuar Nuredin Dumanin, policia ka vërejtur se ai ka qenë i plagosur dhe plagën e kishte gjysmë të mjekuar, çka zbuloi edhe mjekët që i kishin dhënë ndihmë atij. Pas këtij fakti, policia ka hapur kamerat e sigurisë ku ka zbuluar mjekët të cilët mjekuan plagët e Dumanit, Këta të fundit janë shprehur se nuk e dinin se kush ishte, por e kanë bërë në mënyrë humanitare.
Për shkak të pamjes së tij ndryshe nga fotoja që kishin për të shpallur në kërkim, edhe efektivët e policisë në fillim e kanë pasur të vështirë të besonin se ai ishte Dumani, po më pas gjithçka u zbulua, se bëhej fjalë pikërisht për personin që akuzohet për të paktën 7 ngjarje kriminale./ abcnews
g.kosovari