Djali i saj i madh mbushi 18 vjeç dhe gjyshi filloi t’i kujtonte se duhej të merrte hak për të atin e vrarë 12 vjet më parë. Për këtë arsye, një 40-vjeçare nga Puka zgjodhi largimin nga Shqipëia, bashkë me dy djemtë e saj. Kjo është historia e A.M. nga Puka, sjellë nga Gazeta Shqiptare. Ajo u largua drejt Suedisë me synimin e vetëm që djemtë e saj të mos bëheshin vrasës.
“Isha shumë e re kur u vra im shoq, vetëm 28 vjeçe. Mbeta me dy fëmijë, të cilët çdo ditë ‘ushqeheshin’ nga njerëzit e burrit se kur të rriteshin, do merrnin hakun e babait. Kemi kaluar vite shumë të vështira. Me fjalë nuk i përshkruan dot. Por edhe këtu ku jemi është shumë vështirë të kuptohet ky lloj fenomeni dhe mentaliteti që ka Shqipëria e Veriut dhe persekutimi që unë dhe djemtë kemi vuajtur”, tregon 40-vjeçarja nga Puka, sipas të cilës, zgjedhja për të emigruar për azil ishte e vetmja mënyrë që dy djemtë e saj, S.M. 19 vjeç dhe L.M. 13 vjeç të mos bëheshin vrasës.
Kjo familje nga Puka është mes 1700 azilkërkuesish të tjerë nga Shqipëria, të cilët kanë kërkuar azil në Suedi gjatë vitit 2014. Ndërkohë që të dhënat për 2015 nga sektori i emigracionit në Suedi flasin për një shifër prej 1400 azilkërkuesish, por ende nuk është shifra zyrtare, pasi nuk janë përpunuar të gjitha të dhënat. Sipas statistikave, numrin më të madh të azilkërkuesve nga Ballkani e zënë shqiptarët, më pas renditen shqiptarët e Kosovës. Ndërkohë që dy vitet e fundit ka rënë numri i shtetasve serbë dhe boshnjakë, të cilët në 2012- ën kanë pasur numrin më të lartë të lartë të azilkërkuesve nga Ballkani në Suedi.
“Pas vrasjes së bashkëshortit 12 vite më parë, djemtë i kam mbajtur në ngujim. Shkonin në shkollë, por nuk dilnin jashtë klasës, i shoqëroja unë ose im vëlla. Gjakësit, ata që vranë tim shoq erdhën dhe kërkuan falje sipas Kanunit te vjehrri. Por ai nuk i fali dhe ju tha se hakun e të birit do ta merrnin nipërit, pra djemtë e mi. Trysnia, por edhe përndjekja nga njerëzit e burrit u shtua shumë vitin që djali ishte në prag të mbushte 18 vjeç. Na përndiqnin kudo ku shkonim, edhe në shtëpi vinin. Ndaj u detyrova të iki bashkë me dy djemtë. Familja ime, vëllai më ndihmoi nga ana ekonomike që të vinim në Suedi”, tregon 40-vjeçarja për “GSH”.
Por fatkeqësisht, edhe pse tashmë u bënë plot 13 muaj në Suedi, shpresat për të përfituar azil po u shuhen, pasi pak ditë më parë u kanë kthyer përgjigje negative. “Çështjen e kemi apeluar, por pak shpresa kemi. Këtu nuk e kuptojnë dot fenomenin e gjakmarrjes. Po na kthyen, do m’i bëjnë djemtë vrasës, ose do i vrasin. Këtu erdha me shpresën për një jetë më të mirë për fëmijët. Që të arrinin të bënin një jetë të lirë dhe pa frikë e strese”, tregon 40-vjeçarja, A.M. Ndërsa djali i saj i madh, tashmë 19 vjeç, tregon se ky vit që ka kaluar në Stokholm, edhe pse janë në azil dhe jetojnë në një kishë, ka qenë viti më i bukur për të.
“Përgjatë këtij viti nuk kam pasur frikë, trysni. Apo njerëz që të afrohen befas dhe të thonë duhet të lash gjakun e babait. Unë kam qenë shumë i vogël, ende nuk i kisha mbushur 7 vjeç. Dëgjuam zhurmë jashtë dhe mami më tha shko se do jetë babi ta ndihmosh me çantat, se vëllai ishte i vogël, gati 1 vjeç. Por kam parë një skenë që nuk më hiqet kurrë nga mendja. Babai i mbuluar me gjak dhe tre persona që po largoheshin me vrap. Nuk e morëm vesh kurrë përse e vranë”, tregon 19-vjeçari.
BW