Numri i përdoruesve të biçikletave në Tiranë është shtuar ndjeshëm, sidomos vitet e fundit kur bota është përballur me pandeminë, apo me rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës në Ukrainë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi pikën më të re të biçikletave në Tiranë, “Bike Point”, ku tha se kjo është periudha më e mirë për të kuptuar rëndësinë e përdorimit të dyrrotakëve.
“Fakti që është trefishuar numri i biçikletave që janë shitur, apo zhdoganuar, është një lajm shumë i mirë. Do të thotë se nuk jemi dorëzuar përpara kësaj sfide për diçka që s’e kontrollojmë dot, por kemi përqafuar një mundësi. Ndaj mezi pres që të shohim, jo vetëm përhapjen e dyqaneve të tilla nëpër lagje, por edhe përhapjen e kulturës që pasohet me shtimin e rrjetit të biçikletave. Këtë vit do të vazhdojmë ta plotësojmë atë që quhet “rrjeti minimal i biçikletave”, për të cilën po punojmë edhe me GIZ-in dhe KFW-në, dy agjenci gjermane të specializuara të zhvillimit urban”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku pohoi se Tirana i kushton një rëndësi të veçantë përdoruesve të biçikletave dhe kjo tregohet edhe me korsitë e shtuara. Sipas Veliajt, edhe shoferët e makinave janë ndërgjegjësuar dhe i respektojnë çiklistët e qytetit.
“Diçka shumë e mirë që ka ndodhur është edhe sensibilizimi i shoferëve. Nëse më përpara ai që kishte makinë të bullizonte, sepse ndihej mbreti i rrugës, sot ka kuptuar se rrugën duhet ta ndajë si hapësirë me të tjerë. Taksa paguajnë edhe ata që përdorin biçikletën edhe ata që ecin në këmbë. Nëse jemi të gjithë bashkë aksionerë të investimeve në qytet do të thotë se do jemi bashkë aksionerë dhe bashkëpërdorues edhe të hapësirës rrugore. Dëgjoja njerëz kur thoshin: te “Myslym Shyri” na u zu korsia e makinave. Ju them: kujtohu pak, a kalonte ndonjëherë makina aty? Në fakt, makinat parkoheshin nga 16 orë në rrugë, pra nuk ishte korsi kalimi. Kështu ka qenë edhe “Rruga e Kavajës” dhe “Zogu i Parë””, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se distancat e vogla në Tiranë, që kërkojnë më pak se 15 minuta kohë, mund të kryhen fare mirë në këmbë, ose me biçikletë. “Një shofer duhet t’i gëzohet faktit sa herë sheh dikë me biçikletë, sepse do të thotë se ka një makinë më pak në rrugë. Sigurisht, për disa njerëz makina është e nevojshme për të kryer disa distanca, por në kushtet kur Tirana ka një rreze prej 3-4 kilometrash, pra rreth 15 minuta nga kudo ku mund të shkosh, përdorimi i biçikletës ka kuptim, është më ekonomike, më e shëndetshme dhe sigurisht është një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj krize që po ndodh, të cilën nuk e kontrollojmë dot. Ama, mund të kontrollojmë mënyrën si sillemi vetë. Mund të kontrollojmë zakonet tona, stilin tonë të jetesës. Uroj që trendi i përdorimi të biçikletave të vazhdojë. Në ditët me trafik apo në ditët e një krize të naftës, duhet të themi eja ndërrojmë zakonin, më mirë përdorim biçikletën ose ecim në këmbë, sidomos në një vend si ky i yni, ku kemi 300 ditë diell”, theksoi Veliaj. /b.h