Pak ditë para Kongresit të Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i saj Damian Gjiknuri ka bërë të ditur disa nga temat që do të trajtohen.
Në një intervistë për Top News, Gjiknuri nënvizon se Kongresi do të miratojë jo vetëm ndryshimet në Statut për riorganizimin e ri të partisë, por do të trajtojë dhe disa nga sfidat e reja me të cilat përballet vendi.
“Unë them se ka disa arsye se përse PS po e bën këtë Kongres. Së pari është një vendimmarrje në vazhdim të vendimeve që ka marrë Asambleja e PS në shtator që Kongresi i partisë do të miratojë ndryshimet në Statutin e PS, gjithmonë që i përshtaten organizimit dhe objektivave të saj sa i përket aspektit elektoral edhe organizativ. Së dyti natyrshëm ka tema të karakterit politik që kryetari i PS dhe partia do t’i trajtojë dhe t’i marrë në konsideratë për t’i trajtuar në gjithë vendimmarrjen e saj në periudhën e mbetur dhe këtu kemi të bëjmë me sfidat që ka qeverisja, me disa nga çështjet që lidhen siç janë aspekte që kanë ndikuar nga kriza ndërkombëtare e çmimeve dhe efekti që kanë ato mbi popullatën. Natyrshëm qeverisja këtë e ka në vëmendje dhe është një çështje që e ka në fokus.
Një tjetër çështje e rëndësishme është dhe rezultati nga konsultimet publike që ka bërë qeveria, pra nëpërmjet procesit të anketimit dhe formularëve që ka dërguar qeveria. Kjo do të kthehet në një burim frymëzues dhe për disa politika të ardhshme të qeverisë për t’i trajtuar duke marrë në konsideratë edhe opinionet e qytetarëve shqiptarë. Një temë e rëndësishme do të jetë dhe votëbesimi për Sekretariatin dhe disa ndryshime të tjera të karakterit organizativ”, tha Gjiknuri.
I pyetur nëse pjesë e diskutimit të Kongresit do të jenë dhe ndryshimet në qeveri, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha: “Jo kjo nuk është një temë e Kongresit. Rikompozimi i qeverisë është një kompetencë e kryeministrit. Ai në çdo kohë e ka këtë të drejtë, është një e drejtë kushtetuese. Kongresi merret me aspektin programor, politik e organizativ të PS ku natyrshëm çështjet që do të trajtohen aty do të jenë frymëzuese për politikat qeveritare sepse në fund të fundit PS është është në pushtet dhe politikat e saj bazuar dhe në konsultimet me njerëzit janë ato të cilat përkthehen në politika publike sa i përket qeverisjes së vendit”, nënvizoi Gjiknuri.
Kreu i ri i shtetit? Gjiknuri: Do të donim një president që di të qëndrojë mbi palët
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka komentuar dhe procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në një intervistë për Top News, Gjiknuri deklaroi se PS do të dëshironte një president që di të qëndrojë mbi palët, ndryshe nga ai aktuali që është mirëfilli partiak dhe me axhendë politike.
“Patjetër ne kemi filluar që të bëjmë një lloj hulumtimi paraprak, sesi do të zhvillohet ky proces. I takon Kuvendit dhe ky proces zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ne do të donim një president që të ishte antipodi i asaj që ka qenë vitet e fundit. Kemi pasur një presidenti mirëfilli partiak me axhendë politike, me plan se çfarë do të bënte në ditët që do të mbaronte Presidentin apo e kthehu Presidencën në një instrument politik të opozitës, pra në dobi të opozitës apo në funksion të planeve të opozitës.
Ne nuk do donim këtë gjë. Ne do të donim një president që di të qëndrojë mbi palët. Shqipëria në të kaluarën ka pasur shembuj të mirë ku presidentët kanë qëndruar mbi palët pavarësisht nga fakti se si janë propozuar apo kush forcë e ka dhënë mbështetjen. Mendoj se ky proces këtë duhet të synojë”, u shpreh Gjiknuri.
Ai nënvizoi se edhe pse PS i ka të gjitha votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, mazhoranca do të dëshironte të kishte një figurë që përfaqësonte një spektër më të gjerë.
“PS do të bëjë gjithçka. Natyrshëm ne i kemi votat për të zgjedhur këdo sepse sipas Kushtetutës në fund Presidenti mund të zgjidhet dhe me 71 vota, por ne do të donim që të kishim një figurë që përfaqësonte një spektër më të gjerë se PS, jo në kuptimin politik, por në kuptimin e besimit që duhet të kenë të gjithë aktorët tek figura e presidentit.
Kështu që në ditët në vijim ne do të kemi më shumë informacion kur dhe të përcaktohet qartë kalendari I grupit parlamentar dhe kalendari i Kuvendit në lidhje me këtë çështje e cila nga mesi i prillit do të fillojë të materializohet”, thekson Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri./m.j