Mijëra pula të infektuara me grip ngordhin çdo ditë, ndërkohë që vatra të tjera zbulohen. Në këtë vorbull është përfshirë vendi ynë prej një jave, fundi i së cilës nuk dihet.
Deklaratat zyrtare të përditësuara rrekin të bindin për siguri konsumatorët dhe se po ndiqen të gjitha protokollet që po zbatojnë edhe shtetet europiane që po përballen aktualisht me këtë “flamë”. Por ekspertët nuk janë dakord me gjithë çfarë thuhet e madje edhe procedurën se si po menaxhohet gripi i shpendëve. Me një përvojë të ngjashme në luftimin e gripit të shpendëve H5N1 në vitin 2006, dikur drejtor i Institutit të Kërkimeve Veterinare e pedagog në Fakultetin e Veterinarisë, profesor Kristaq Bërxholi, në një intervistë për gazetën, heq paralele me të kaluarën e madje shkon më tej, duke treguar udhën se si duhet vepruar me qëllim që të mos përsëriten të njëjtat gabime.
Profesor, ju vini nga një eksperiencë e ngjashme në vitin 2006, kur shpërtheu gripi i shpendëve H5N1. Duke bërë një krahasim me të kaluarën, a mund të na thoni këndvështrimin tuaj se si po menaxhohet situata aktuale e H5N8?
Pavarësisht se kur kanë filluar dëmtimet, vlerësimi i situatës nis nga data kur bëhen diagnoza, pra 19 mars. Në rastin konkret, përveç gripit të shpendëve, kemi të bëjmë edhe me një sëmundje tjetër, pra kemi një mbivendosje të problemeve. HSN8 ka filluar në të njëjtën kohë kur është vendosur diagnoza tjetër, laringo trakeit. Nga kjo pikëpamje, them se marrja e masave aktuale duhet të jetë mbi bazën e kritereve shkencore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare. Që do të thotë: vendosja e karantinës në një rreze prej 3 km dhe zona e survejancës 10 km nga vatra.
Kjo është e detyrueshme me ligj, pavarësisht nëse ka ose jo raste të dyshuara. Në të gjithë vendin është e domosdoshme të bëhet një shpërndarje e specialistëve të veterinarisë të ngarkuar posaçërisht për kontrollin e situatës së shpendëve në vend, edhe atyre të egër. Mund të bëhet një marrëveshje me Shoqatën e Gjuetarëve. Këta të fundit dalin vazhdimisht për gjueti, e njohin terrenin dhe në çdo rast të grumbullojnë materiale nga shpendët e egër, të ngordhur a të sëmurë apo të vrasin për qëllime diagnostike dhe të vazhdojnë kontrollin për të parë nëse ka raste të tjera qarkullimi të virusit.
Pavarësisht politikave që ndërmerr Ministria e Bujqësisë, ju si ekspert mund të tregoni se si mund të mbrohen fermerët e mëdhenj? E po ashtu, edhe ata që kanë pula oborri?
Në rast se këto shpendë janë brenda vatrës ku ka shpërthyer virusi, ata duhen eliminuar. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk mundet që asnjë prej tyre të çohet për konsum. Kjo, pavarësisht se virusi aktual H5N8 deri më tani nuk ka të dhëna që vret njerëzit, me përjashtim të 7 rasteve të raportuara nga Rusia përpara dy vitesh. Në Europë ka 2 vjet që qarkullon dhe nuk ka të dhëna për prekjen e njeriut. Por duke u nisur nga fakti që kemi të bëjmë me një virus, duhen marrë masa drastike.
Cilat janë ato masa, konkretisht?
Eliminimi total i shpendëve brenda kompleksit ku është zbuluar virusi. Në territorin përreth duhet rritur vigjilenca. Komplekset e afërta duhet të mbahen nën kontroll të vazhdueshëm dhe duhet të fuqizohen masat e biosigurisë. Kjo nënkupton ndalimin e hyrjes së njerëzve të pakontrolluar, dezinfektimin e makinave, mjetet transportit, moslëvizjen e punonjësve nga njëra sallë në tjetrën, moslënien e ushqimit në ambiente midis sallave, kontrollin e vazhdueshëm, eliminimin e të gjithë shpendëve rreth komplekseve përreth zonave rurale. Këto duhet të fuqizohen me qëllim që të mbrohen komplekset e tjera. Dëmi është ekonomik, por edhe për popullatën. Ata që kanë pula oborri, përballen me një problem edhe më të madh.
Shumica e tyre i mbajnë pulat jashtë. Në situata të tilla, por edhe kur të mos ketë grip, duhet të bëhet zakon që pulat të mbahen në ambiente të mbyllura natën. Pulat ushqehen jashtë, por nuk e konsumojnë të gjithë ushqimin. Zogjtë migratorë, që janë përgjegjës për përhapjen e infeksionit dhe që në vendin tonë e pëlqejnë shumë klimën, rosat, patat e egra e të tjera, duke ndenjur në luginat e lumenjve e liqeneve e të tjera. Natën, për të kërkuar ushqim, mund të lëvizin deri në 5 km nga vendqëndrimi i tyre, sidomos në zonat e banuara, ku kërkojnë dhe gjejnë ushqim. Në të njëjtën kohë, ata nxjerrin edhe feçe apo jargë që janë të mbushura me virus. Këto shpendë janë rezervuarë të H5N8 dhe e përhapin atë. Në këto kushte, tani situata është emergjente dhe duhet detyrimisht të mbahen brenda. Më pas, duhet të behet kulturë.
A mund t’i dallojë një shpendërritës pulat e infektuara? Nëse po, si?
Një fermer është mirë të monitorojë gjendjen e pulave të tij çdo ditë, sidomos këto kohë. Ata mund t’i vërejnë nëse kanë oreks për të ngrënë, qëndrojnë shtrirë, mos kanë rrjedhje nga goja e kështu me radhë. Këto janë shenja që tregojnë se shpendi është i sëmurë. Nëse vërehen këto shenja, pavarësisht problemit që ai shfaq, fermeri apo shpendërritësi duhet ta dërgojë te mjeku veteriner. Kam parë këto ditë në disa media ku fermeri i ka hedhur pulat e ngordhura në kanal. Ende jemi shumë mbrapa me informimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve. Është detyrë e të gjithëve, por sidomos e shërbimit veterinar. Pa kontaktuar shërbimin veterinar, ata nuk duhet të marrin asnjë masë.
Lidhur me sigurinë ushqimore, kemi disa dalje publike të zyrtarëve që thonë se mund t’i konsumojnë pulat e vezët, mjafton të gatuhen mirë. Një pyetje, mbase naive, a mund të konsumojnë qytetarët pa merak sot shpendë dhe vezë? Prokuroria e Durrësit ka hapur një hetim pas dyshimeve se kanë dalë në treg shpendë e vezë të infektuara…
Problemi është i tillë. Shpendë të sëmura nuk duhet të lejohen për konsum. Jo nga problemi i virusit, sepse deri më tani virusi nuk ka raste të ketë kaluar te njerëzit pas zierjes. Por ka një specifikë të veçantë. Në shpendët e sëmurë favorizohen shumë edhe mikroorganizma të tjerë patogjenë, si salmonela apo të tjerë që janë të zakonshme në shpendë dhe shkaktojnë probleme, veçanërisht te fëmijët diarre. Kështu, shpendët e infektuar nuk duhet të konsumohen, ndërsa ata që i shpëtojnë virusit, mund të konsumohen pa problem fare.
Problem është që njerëzit, qofshin këto në komplekse a zona rurale, nuk duhet të lejojnë fëmijët të lozin me shpendët, sidomos në këtë situatë. Veçanërisht me rosat, patat e gjelat e detit, për shkak se ato nuk e shfaqin përgjithësisht prezencën e virusit. Ato janë të gjalla, hanë ushqim, ndërkohë që janë të infektuara. Kështu, ata përbëjnë kërcënim për organizmin e fëmijëve. Kontakti me shpendë të sëmura, të infektuar, duhet të jetë kategorikisht i ndaluar për të vegjlit, por gjithashtu edhe për fermerët. Sapo të shohin shpendë të ngordhur apo të sëmura, duhet të njoftojnë shërbimin veterinar menjëherë.
Me informacionet që keni, çfarë ndodh konkretisht te një person që bien në kontakt me H5N8?
Një person që nuk e njeh problemin, mund të bjerë lehtësisht në kontakt me virusin dhe reaksioni në trupin e tij varet nga gjendja e organizmit, rezistenca imunitare. Janë një sërë faktorësh që mundet të krijojnë një infeksion nga virusi. Ndaj merren këto masa, sepse nuk dihet se si mund të sillet ky virus, pavarësisht të dhënave që përjashtojnë efekte madhore, në të nesërmen mund të krijojë probleme në imunitetin e tyre. Ndaj duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të njoftohen organet kompetente për këtë problem, të mos i kapin shpendët me duar.
Një pyetje lidhur me procesin e groposjes. Me çfarë ritmesh po ecën? Çfarë rreziku mbart një pulë e kontaminuar në mjedis të hapur për orë a ditë të tëra?
Për mua, është komplet e gabuar kur ndërhyjnë struktura që s’kanë asnjë kompetencë për ta bërë. Në këto raste të shpërthimit të sëmundjeve zoonotike, të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë, duhet të jenë nga shërbimi i veterinarisë, i cili e zbaton ligjin e përcaktuar, rregullat e kriteret ashtu si në të gjitha vendet e botës. Mënyrat si po procedohet me shpendët e ngordhur është e gabuar. Më ka ardhur jashtëzakonisht keq me mënyrën tonë të ndërhyrjes nga njerëz që nuk e kanë në kompetencë. Mjedisi nuk ka punë në eliminimin e shpendëve. Mbajtja e shpendëve për një kohë të gjatë bën të mundur që zona të ngarkohet me virus apo mikroorganizma patogjenë. Janë komplet të gabuara, të palejueshme, të dënueshme veprimet që kam parë përmes medias për eliminimin e shpendëve.
Një problem edhe më i madh është mënyra e eliminimit të shpendëve të ngordhur. Akoma vazhdojmë të ndërhyjmë me metoda primitive. Groposja e shpendëve është një metodë e vjetruar që ne e kemi përdorur kur nuk njihnim të tjera. Sot ekziston ajo që quhet rendering, një pajisje e caktuar që eliminon shpendët e ngordhur. Në vendin tonë ka disa të tilla, fabrika të cilat e bëjnë eliminimin e shpendëve pa asnjë rrezik infeksioni. Transportin e tyre nga vendi i dëmtimit në fabrikë ku bëhet eliminimi në mënyrë të garantuar për mospërhapjen e infeksionit. Kurse groposja është një mënyrë e përhapjes së infeksionit.
Së pari, ndodh përmes transportit, siç është rasti i Durrësit. Nga kompleksi në Shijak me makina të zakonshme transporti, një mënyrë kjo e pagarantuar dhe që përhap infeksionin. Është kategorikisht i ndaluar përdorimi i këtyre mjeteve në transportimin e shpendëve. Së dyti, hedhja e shpendëve në gropë, krijon mundësinë që të gjitha rrjedhjet nga shpendët e ngordhur dhe qëndrimi i tyre për një kohë të gjatë bën të mundur që ato të futen në ujëra nëntokësorë duke i kontaminuar. Ka shumë mundësi që disa metra më larg gropës të ketë një pus. Një tjetër rrezik është fakti që groposja mund të krijojë probleme të shpërthimit të ndonjë epidemie mbas disa vitesh si pasojë e dekompozimit të prodhimit të gazit salmonik. Pra është e domosdoshme që këto të parandalohen. Kjo bëhet përmes kësaj metode renderimi. Ka makina të posaçme si për transport, edhe për eliminimin.
Folëm për konsumatorët, pulat, por jo për fermerët. Deri më tani nuk është dëgjuar të flitet për kompensim. Çfarë është e udhës të bëhet?
Është një ligj ndërkombëtar që duhet të aplikohet edhe në vendin tonë për sëmundje të tilla zoonotike. H5N8 ashtu si H5N1 duhet të kompensohet. Kam dëgjuar që shteti e ka parasysh këtë si kriter në dokumentet e tij që fermerët të dëmshpërblehen dhe besoj se do ta bëjë.
Ju përmendët disa gjëra të bëra gabim në menaxhimin e situatës. Në momentin ku jemi, a ka vend për një këshillë a diçka që do donit të bëhej?
Është më se e domosdoshme që strukturat e ngarkuara me izolimin e gripit të bëjnë dhe një studim epidemiologjik për faktin e shpërthimit në komplekse. Për mua, është e papranueshme të mos kemi raste në shpendët e zonave rurale, por të kemi në kompleks. Është e pashpjegueshme për mua. Ndaj duhet hetim epidemiologjik. Duhet bërë një riorganizim total i shërbimit veterinar.
Në këto kushte që është, së pari, nuk mbulon gjithë territorin e vendit; dhe së dyti, nuk ka pajisjet e domosdoshme për këtë punë. Ata mund të infektohen dhe janë më të rrezikuarit. Unë pashë një ditë në media një mjek që bënte autopsinë e shpendëve pa dorashka, pa syze, pa asgjë. Të nxirren fonde të veçanta për të dyja këto raste. Të blihen mjete që mjekët të jenë të përgatitur për çdo situatë. Viruset zoonotike po shtojnë nga viti në vit. Në gjithë popullatën humane, çdo vit kemi pesë sëmundje të reja, tre prej të cilave janë zoonotike. Është e domosdoshme që mjet e diagnostikimit të jenë të gatshme dhe të mos procedohet ende me metoda të kaluara që janë jashtë standardit dhe nuk ndodhin në asnjë vend të botës./ Panorama
/b.h