Policia u jep shenjë të ndalojnë, i japin gaz makinës dhe plagosin punonjësin e policisë.
Policia ka arerstuar Defrim Bardhushi 33 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë, (i cili ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”) dhe Elvis Venxha 30 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.
Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara se dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, po transportonin një sasi droge, organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin ata po udhëtonin, në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Drejtuesi i mjetit shtetasi Elvis Venxha., sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e policisë, ka tentuar të largohet me shpejtësi duke goditur edhe mjetet e efektivëve, por u kap menjëherë dhe u neutralizua.
Nga tentativa e largimit ka mbetur i plagosur lehtë një punonjës policie.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, në bagazhin e tij u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 pako, me peshë totale 51.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
/a.r