Pas mbledhjes që u mbajt më herët gjatë ditës së sotme, Berisha ka njoftuar për tjetër takim me Komisionin e Rithemelimit. Bëhet me dije takimi do të zhvillohet në selinë blu, në orën 20:00.
Më herët bashkë me disa përfaqësues të tjerë të Komisionit të Rithemelimit zhvilluan një takim me Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin, ku nuk u arrit një marrëveshje për bashkimin e PD. Pas këtij takimi, Berisha dhe Alibeaj dolën në konferenca të ndryshme për shtyp. Ish-kryeministri Berisha bëri të qartë se do të kandidojë për kryetar të PD, ndërsa Alibeaj theksoi se asnjë person ‘non grata’ nuk mund të drejtojë partinë.
Berisha kërkoi bashkimin e demokratëve, ku tha se çdo njëri prej tyre duhet të bashkëpunojë për të shëruar dhe bashkuar PD pas krizës që kaloi. Aliabeaj, nga ana tjetër, tha se bashkimi i demokratëve duhet bërë me ato demokratë që nuk cenojnë vlerat dhe marrëdhëniet me SHBA për interesat personale të një personi. Ky i fundit i kërkoi Berishës të largohej njësoj si Basha dhe të lejonte bashkimin e PD, por kjo u refuzuar nga ish kryeministri.
Gjykata e Tiranës regjistron ndryshimet e Berishës në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Sipas këtij vendimi tashmë Komisioni i Rithemelimit i Sali Berishës mund të drejtojë Partinë Demokratike. Në Kuvendin e 11 dhjetorit u vendos referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, shkarkimi i nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm, Kryesisë dhe të gjitha strukturave drejtuese.
/b.h