“American Museum of Natural History” dje ka prezantuar një nga dinozaurët më të mëdhenj në botë, raporton CNN.
Krijesa parahistorike, e cila ka kaluar edhe jashtë hapësirës së muzeut, ka një gjatësi prej 37 metrave, ndërsa peshon rreth 70 ton, transmeton Koha.net.
Dinozauri ishte zbuluar në shkretëtirën Patagonian në regjionin e Argjentinës në vitin 2014. Ekipi i “Museo Paleontologico Egidio Feruglio” në Argjentinë i udhëhequr nga Jose Luis Carballido dhe Diego Pol rreth 18 muaj kishin bërë gërmime për të zbuluar këto specie të reja.
“Kjo kafshë është aq e re sa që ende nuk ka një emërim zyrtar”, ka thënë Mark Norell, shef dhe kurator i muzeut. Ky grup i dinozaurëve është i njohur për trupin e tyre të gjatë. Kan qafë dhe bisht shumë të gjatë, kokë të vogël, ndërsa ecin në katër këmbë të trasha.
Shkencëtarët kanë zbuluar 223 fosile, eshtra të cilat i takojnë gjashtë individëve të këtij lloji të dinozaurëve. Sipas shkencëtarëve një dinozaur i tillë, që peshon rreth 70 ton, është sa dhjetë elefantë afrikanë.
Fosilet tregojnë se krijesat ishin adoleshentë të rinj që kanë jetuar rreth 100 milionë vjet më parë. Paleantologjistët besojnë se dinozaurët kanë vdekur në tri periudha të ndryshme, por ende nuk është vërtetuar periudhat e sakta.
Kuratorët kanë përdorur teknologjinë laserike për të skanuar fosilet dhe më pas për të bërë projekte dixhitale.
Skeleti që është prezantuar nuk përmban ndonjë nga fosilet e gjetura, dhe në vend të fosileve eshtrat janë bërë në 3D nga fibra të xhamit.