Ekipi për femra i Sport Klub Tiranës fitoi Kupën e Shqipërisë në volejboll, duke e sjellë këtë të trofe në kryeqytet pas 9 vitesh pritje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përgëzoi vajzat që sollën trofeun e 11-të për SK Tiranën dhe nënvizoi se investimet në sport sjellin rezultatet.
“Jam shumë krenar për të gjitha ju! Fakti që jeni një skuadër e mbledhur, ku punohet në grup, ku secila ndjen kënaqësi për suksesin e tjetrit, dhe sidomos tani që u shpallët fituese të Kupës së Shqipërisë pas 9 vitesh, me jëp një kënaqësi të jashtëzakonshme. Kjo provon se filozofia jonë e hapjes së lojës ka funksionuar – ashtu si në një lojë ku pasin dhe zhytjen s’mund ta bëjë një njeri – ashtu edhe në një skuadër duhet të vijë një brez i ri, duhet të hapet loja për talented e reja, nuk duhen parë njerëzit as nga xhepi, as nga mbiemri, as nga partia, por duhet realisht që gara të përfaqësohet nga më të mirët e uniformës sonë bardheblu”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku veçoi faktin se investimet janë ato që prodhojnë rezultat të padiskutueshëm. Ai theksoi se mbështetja për ekipet që garojnë me ngjyrat e Tiranës do të vijojë.
“Fakti se investimet, si në terrene sportive, ashtu edhe në një grup të stërvit, sjellin këtë rezultat, është inkurajim që ne të vazhdojmë kështu. Do të vazhdojmë investimet edhe me Federatën e Notit, por kryesisht përfituesi kryesor do të jetë ekipi i Tiranës. Sapo kemi lëshuar urdhrin për lirimin e mjediseve të pishinave. Ajo që kuptuam nga volejbolli, nga basketbolli, nga Brikeni në peshëngritje, nga Luiza dhe Izmiri në atletikë, është se aty ku promovohen talentet me meritë dhe ku krijohet një infrastrukturë bazë, ka gjithmonë rezultat. Aty ku themi, jo po ta mbajë brezi që e ka 20 vjet një Federatë, aty gjërat nuk funksionojnë”, deklaroi Veliaj.
Edhe në futboll, tha ai, duhet që të sigurojmë start të barabartë dhe rrugën e suksesit për të gjitha talentet.
“Edhe për futbollin, kur njerëzit më pyesin: “Pse merresh?”, u them: U mora që të fitonim Tiranën. Që në Tiranë të mos lejojmë më as abuzime, as vjedhje, po as mbylljen ndaj talenteve. Pastaj dhe qytetet e tjera duhet të bëjnë betejën e tyre, por në kryeqytet do duhet t’u themi çdo djali dhe çdo vajze që ti nuk ke nevojë as të kesh mbiemrin e duhur, as teserën e duhur, as financat e duhura. Nëse je i talentuar, skuadrat tona, pavarësisht çfarë sporti zgjedh, do të të japin hakun dhe do të sigurohen që shkëlqen dhe fluturon bashkë me të tjerët,” nënvizoi kryetari i Bashkisë.
Veliaj e mbylli fjalën e tij me mirënjohje për të gjitha kupat e fituara nga djemtë dhe vajzat që përfaqësojnë Tiranën, sidomos në vitin e Kryeqytetit Europian të Rinisë. Ashtu si ekipi i vajzave, edhe skuadra e djemve bardheblu në volejboll fitoi, pak ditë më parë, Kupën e Shqipërisë.