Kandidatët demokratë në garë për Shtëpinë e Bardhë janë “përplasur” për çështjen e armëve dhe të kujdesit shëndetësor në debatin e fundit televiziv.
Hillary Clinton sulmoi Bernie Sandersin, duke e akuzuar se ka votuar ligjin që i garanton pandëshkueshmërinë prodhuesve të armëve dhe që zvogëlon kohën e kontrollit ndaj blerësve të këtyre armëve.
Debati më i “ndezur“ ishte për kujdesin shëndetësor. Ish-Zonja e Parë amerikane e mbrojti me forcë ligjin në fuqi, duke thënë se rinisja e debatit për të është i rrezikshëm, ndërsa Sanders tha se nuk kërkon ta zhvlerësojë ligjin, por ta çojë më tej, duke bërë që të përfitojnë më shumë persona nga asistenca mjekësore, që duhet të jetë “një e drejtë dhe jo një privilegj“.
Hillary Clinton udhëheq sondazhet në të gjithë Amerikën, ndërsa Bernie Sanders është një kërcënim në disa shtete kyçe.