Avokati i Popullit z. Igli Totozani, ishte sot ne Bashkinë e Kukësit për të parë nga afër situatën e vështirë të krijuar si pasojë e temperaturave të ulëta dhe ngricave në veri të vendit. Z. Totozani zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, z. Bashkim Shehu, Prefektin z. Liman Morina, si dhe me drejtorin rajonal të OSHEE-së, ku mori informacion mbi masat e marra nga pushteti vendor dhe qendror për menaxhimin e kësaj situate.
Në mënyrë të veçantë, Avokati I Popullit u interesua për furnizimin me ushqime dhe ilaçe të banorëve në zonat e bllokuara dhe ata në fshatrat më të largëta. Por edhe për kushtet e trajtimit shëndetësor të rasteve urgjente. Për këtë arsye z. Totozani zhvilloi një vizitë monitoruese në spitalin rajonal të Kukësit. Në takimin me drejtuesit dhe mjekët e këtij spitali u konstatua gjendja e gadishmërisë pavarësisht vështirësive. Më problematike situata paraqitet në qendrat shëndetësore rajonale, sidomos ato në zonat e thella malore, ku shpesh mungojnë mjekët specialistë. Një tjetër vështirësi është edhe transporti i rasteve emergjente, për shkak të disa rrugëve të bllokuara. Në këto raste transporti i pacientëve kryhet me mjete rrethanore. Ndersa, per rastet e renda eshte vene ne dispozicion helikopteri i Ministrise se Shendetesise.
Në takimin me drejtorin rajonal të OSHEE-së, Z. Totozani ngriti shqetësimin e ndërprerjeve të herëpashershme të energjisë elektrike në këtë zonë, ndërsa theksoi se është i domosdoshëm garantimi i furnizimit pa ndërprerje të këtyre banorëve, sidomos të atyre në zona të thella.
Gjatë bisedës me drejtuesit e Bashkisë dhe Prefekturës, Avokati i Popullit u njoh edhe me masat për garantimin e qarkullimit normal të automjeteve, si dhe përpjekjet për të zhbllokimin e rrugëve në zonat më të thella malore.
Avokati i Popullit i bëri thirrje edhe shoqërisë civile për të mbledhur ndihma ushqimore për banorët e zonave të thella dhe atyre të izoluara nga dëbora dhe ngricat, një iniciativë kjo që duhet të shtrihet edhe më gjerë.