Zyrtarët e Ukrainës kanë akuzuar gjeneralin rus, Mikhail Mizintsev si personin përgjegjës për sulmet në qytetin e Mariupoli ku kanë mbetur të vdekur qindra persona.
Kryetarja e Qendrës së Ukrainës për Liritë Civile, Oleksandra Matviichuk ka postuar në rrjetin e saj social Twitter, një foto të gjeneralit, ku shkruan se ky është personi përgjegjës për rrethimin e Mariupolit.
“Mbajeni mend këtë person. Ky është Mikhail Mizintsev. Ai po udhëheq sulmet në Mariupol. Është ky personi që ka urdhëruar sulmet në spitalin e fëmijëve, në teatrin dhe në shumë godina të tjera të banimit” – shkruan në Twitter Matviichuk.
Sipas mediave të huaja, sulmi i parë ishte në një prej materniteteve, ku u vranë fëmijë dhe gra shtatzëna. Në sulmin e dytë, u godit teatri i Mariupolit ku sipas autoriteteve vendase, strehoheshin të paktën 1000 civilë, shumica e të cilëve ishin fëmijë dhe të moshuar.
Edhe korridoret e evakuimit, të cilat i kishte premtuar edhe Rusia, u goditën me urdhër të Mizintsev. Sipas Human Rights Watch, qyteti ku jetonin mbi 430 mijë persona, tashmë është kthyer në një zonë të shkretë.
Më tej, kryetarja e Qendrës për Liritë Civile, shkruan se gjenerali rusë ka udhëhequr sulme të tjera në shumë prej qyteteve të Sirisë, teksa e paralajmëron se do ta ndjekë penalisht në Tribunalin e Hagës.