Ekspertja e njohur amerikane e Drejtësisë flet te ‘Javanews’ për reformën e fundit të Drejtësisë dhe problematikën e saj. Cilat janë vështirësitë teknike të saj, ndër të cilat veçohet pjesëmarrja e të huajve, njerëzit që do ta bëjnë atë dhe vetë problematikën e vazhdueshme të konsensusit politik…Por, në fund është e bindur se Shqipëria dhe vetë shqiptarët do t’ia dalin!
Intervistoi Ben Andoni
Kathleen Imholz, ekspertja e njohur e Drejtësisë gjendet prej 25 vitesh në Shqipëri, ku ka asistuar në hallka të ndryshme të sistemit. Si e tillë, falë dhe njohjes së shqipes, ajo ka mundur jo thjesht të kuptojë sistemin e drejtësisë shqiptare, por të jetë e vetëdijshme edhe e bindur se ku duhet të ndërhyhet. Në këtë intervistë për ‘Javanews’, ajo shprehet për vështirësitë e reformës, mungesën e vazhdueshme të konsensusit politik, por edhe konceptin e përfshirjes së të huajve në këtë sistem. E pyetur për njerëzit që do e drejtojnë dhe do e zbatojnë këtë reformë, ajo ka një përgjigje direkte: Unë e kuptoj shqetësimin tuaj se “të njëjtët njerëz që e kanë katandisur drejtësinë shqiptare në këtë gjendje” do të vazhdojnë të veprojnë siç kishin bërë edhe më parë, pavarësisht nga sasia e ligjeve që ndryshojnë apo nga sasia e institucioneve të reja rregulluese që krijohen. Kjo është arsyeja përse reformës në drejtësi i nevojitet një fazë e dytë, si dhe përse unë mendoj se faza e parë, përshtatjet dhe rregullimet teknike për të cilat çdokush flet sot, duhet të jenë sa më të thjeshta që të jetë e mundur me qëllim që kjo fazë të mund të mbarojë sa më shpejt. Dhe, me që ra fjalë – më vjen keq, por nuk mund të ofroj ndonjë shembull të mirë nga vende të tjera. Kultura kombëtare është, nisur nga përkufizimi, specifike për çdonjërin vend.
Pse është kaq i vështirë hartimi i ndryshimeve kushtetuese dhe konsensusi për një reformë që të gjithë palët pretendojnë se mezi e presin ? Ku janë teknikisht problematikat më të mëdha të saj?
“Unë mendoj se ka disa përgjigje. Një prej tyre është thjesht se ka shumë pak ide të qarta se çfarë kuptohet me reformë. Ekspertët e zgjedhur për këtë proces, për të cilët kam respekt (përfshi edhe ekspertët e caktuar nga opozita), teknikisht janë të aftë dhe, si të tillë, ata kanë identifikuar një numër të madh të problemeve teknike, por ky nuk është thelbi i asaj se çfarë kuptohet me reformë. Në vështrimin tim, ‘reforma’ duhet të synojë bërjen e sistemit të drejtësisë që të punojë më mirë dhe më drejtë për shqiptarët e zakonshëm. Së dyti, sigurisht, gjetja e ‘konsensusit’ në mjedisin politik të polarizuar siç është sot Shqipëria, është e vështirë, sidomos për një çështje kaq madhore sa kjo. ‘Problematikat më të mëdha’ nuk janë fare ‘teknike’. Edhe paketa voluminoze e aprovuar nga Komisioni Parlamentar të premten, me votat e PS, nuk është aq e vështirë të zbatohet teknikisht; por ky zbatim do të kërkonte një sasi të madhe kohe, njëherazi duke mos e zgjidhur problemin në ndonjë mënyrë të mirëfilltë”.
Drafti i reformës parashikon një përfshirje të madhe të kontrollit të huaj. Si një nga ekspertet më të hershme që jeni marrë me Drejtësinë Shqiptare, mendoni se në këtë stad kjo përfshirje është e domosdoshme apo e tepruar?
“E di që shumë shqiptarë e konsiderojnë këtë pjesëmarrje të domosdoshme, por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Edhe të huajt që e njohin mirë vendin – dhe mendoj se unë jam një prej tyre – realisht nuk janë në një pozitë që të kuptojnë çdo gjë që zhvillohet pas skenës. Kam vëzhguar me dhjetëra gjyqe përgjatë viteve, dhe unë e njoh shqipen sa të mos kem nevojë për përkthyes, por megjithatë e di se ka një sërë çështjesh që unë ende nuk i kuptoj. Sinqerisht, edhe të huajve më të mirë dhe më të mençur është shumë e lehtë t’ua hedhësh! Gjithsesi, unë mendoj se nuk është gjë e keqe të kesh një prezencë të huaj të punojë me shqiptarët për ‘kontrollin’ e gjyqtarëve dhe prokurorëve të sotëm, siç parashikon paketa e PS dhe që mbështetet edhe nga SHBA dhe BE. Nëse procesi menaxhohet me kujdes, kjo do të ishte pozitive. Por, mos harro se edhe eksperienca EULEX në Kosovë pati shumë, shumë probleme”.
“Mendoj se nuk është gjë e keqe të kesh një prezencë të huaj të punojë me shqiptarët për ‘kontrollin’ e gjyqtarëve dhe prokurorëve”
Është një reformë që, sipas mendimit personal, duhet të mbajë më shumë parasysh mendimin teknik, por tashmë në hapat e fundit reforma është vështirësuar nga ndërhyrja politike, si dhe nga lënia mënjanë e ekspertëve (që duken disi të politizuar, po ashtu). A mos vallë ka shenja se politika, edhe në të ardhmen, do ta bëjë të pamundur funksionimin si duhet të drejtësisë?
“Nuk jam kompetente të flas rreth rolit të udhëheqjes politike, sidomos në lidhje me atë që mund të ndodhë në të ardhmen, por nuk jam pesimiste se do të jetë e pamundur për drejtësinë të funksionojë si duhet me kalimin e kohës. Siç e kam theksuar, edhe në situatën aktuale, çështja nuk ka të bëjë thjeshtë me zgjidhjen e pak ose qoftë edhe të shumë momenteve teknike. Problemet që i identifikova më sipër, duke përfshirë polarizimin ekstrem të shoqërisë dhe të politikës, pa dyshim do të vazhdojnë të ekzistojnë, por megjithatë funksionimi më i mirë i drejtësisë është i mundur. Nëse Shqipëria e kapërcen këtë ngërç aktual dhe fillon të trajtojë problemet reale, gjërat mund të bëhen më mirë”.
Ka një kulturë kombëtare të ryshfetit dhe të shkeljes së ligjit si diçka normale. Si mund ta kapërcejë këtë gjendje një reformë e re, e cila sërish do ketë të bëjë me të njëjtët njerëz që e kanë katandisur në këtë gjendje drejtësinë shqiptare (ka shembuj për këtë)?
“Këto dy faktorë janë të lidhur – ryshfeti dhe moszbatimi i ligjit – por duhet të ndahen dhe të trajtohen veçmas. Gjithmonë kam menduar, që kur erdha këtu për herë të parë në vitin 1991, se ka në fakt një ‘kulturë ligjore’ ndërmjet shqiptarëve të zakonshëm, një ndërgjegje se çfarë është ligji, dhe një dëshirë për ta zbatuar atë. Fakti se u bë kaq e zakonshme lëshimi i kuponave tatimore në baret dhe restorantet, është një shembull i këtij fakti. Nuk mendoj se frika nga gjoba është arsyeja e vetme! Por kultura e ryshfetit, ose më saktë, kultura e “drejtësisë për shitje” ku paret mund të bëjnë çdo gjë, është diçka tjetër. Kjo pa dyshim duhet të përballohet nëpërmjet një reforme reale drejtësie. Unë e kuptoj shqetësimin tuaj se “të njëjtët njerëz që e kanë katandisur drejtësinë shqiptare në këtë gjendje” do të vazhdojnë të veprojnë siç kishin bërë edhe më parë, pavarësisht nga sasia e ligjeve që ndryshojnë apo nga sasia e institucioneve të reja rregulluese që krijohen. Kjo është arsyeja përse reformës në drejtësi i nevojitet një fazë e dytë, si dhe përse unë mendoj se faza e parë, përshtatjet dhe rregullimet teknike për të cilat çdokush flet sot, duhet të jenë sa më të thjeshta që të jetë e mundur me qëllim që kjo fazë të mund të mbarojë sa më shpejt. Dhe, me që ra fjalë – më vjen keq, por nuk mund të ofroj ndonjë shembull të mirë nga vende të tjera. Kultura kombëtare është, nisur nga përkufizimi, specifike për çdonjërin vend. Gjithsesi unë e di se shumë shqiptarë e duan ndryshimin, dhe ata do ta gjejnë një rrugë”.
JavaNews 18 janar 2016