“Kjo dorëheqje nuk është ende e plotë, sepse mungon nisja e një procesi zgjedhor brenda partisë”-kështu u shpreh deputeti Luciano Boçi për vendimin e djeshëm të ish-kreut të PD-së Lulzim Basha.
I ftuar në Fax News Boçi theksoi se anëtarësia dhe opinioni publik kishin humbur besimin tek Basha dhe një gjë e tillë nuk mbaron tek kjo dorëheqje, pasi sipas tij është ulëritëse nevoja për një lider të ri të zgjedhur përmes votës së lirë.
Ai tha ndër të tjera se nuk përjashtohet mundësia që Basha të dëshirojë sërish një rikthim në PD, dhe se ai ishte shkarkuar që në Kuvendin 11 dhjetorit.
Pjesë nga studio.
A ishte e sinqertë dorëheqja e Bashës?
Luciano Boçi: E pashë si përfundim të një marrëdhënieje besimi mes tij dhe anëtarësisë së Partisë Demokratike, por dhe më gjerë me publikun dhe votuesin. Ishte një humbje besimi në progres të vazhdueshëm dhe përfundoi si dorëheqje megjithëse u shkarkua në dhjetor.
Gjithkund dorëheqjet kanë një dozë sinqeriteti sepse karrierat politike nuk mbarojnë me një dorëheqje dhe nuk janë të përputhshme me dëshirën e individit port ë diktuara nga rrethanat. U zhvillua një betejë mes anëtarësisë dhe selisë dhe pjesa më e madhe kërkonte largimin e tij dhe nisjen e një jete të re politike, besimi të ri.
Unë e shoh se në ato dilema, Basha i ka të gjitha brenda, pas dorëheqjes fillon shkëputja dhe është e paparashikuar nga Basha por të tilla janë proceset politike. Ajo marrëdhënia e dikurshme rrëzohet me shpejtësi marramendëse dhe brenda saj nuk shuhet dëshira për rikthim.
Është diskutuar se a duhej përjashtuar nga gara Basha dhe më parë. Thelbi i Kuvendit ishte procesi zgjedhor, dhënia e besimit nuk përfundon me dorëheqjjen por me votën e lirë në garë. Kjo dorëheqje nuk është ende e plotë, sepse duhet të shoqërohet me hapje të procesit zgjedhor.
E thënë në mënyrë popullore, Partia Demokratike duke dashur të vërë vetullat, heq sytë, nuk mund të lihet bosh sepse do të thotë shkatërrim i forcës politike. Është ulëritëse zgjedhja e një lidershipi.
/b.h