Policia në Durrës ka vënë në pranga një 41-vjeçar që ishte kthyer në “makthin” e qytetarëve të Durrësit si autor i një sërë vjedhjesh. Nisur nga disa denoncime të bëra nga qytetarët ditëve të fundit në Komisariatin e Policisë Durrës, policia organizoi operacionin e koduar policor “Seriali”.
Me finalizimin e operacionit, në pranga u vu P. P., 41 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Durrës. 41-vjeçari u kap ndërsa tentonte të vidhte një banesë në lagjen nr. 2, Durrës.
Nga sekuestrimi i rrobave që ai përdorte gjatë vjedhjeve por edhe bazuar në pamjet filmike të sekuestruara u bë e mundur zbardhja e një sërë vjedhjesh, autor i të cilave dyshohet të jetë 41-vjeçari i arrestuar në flagrancë.
Rastet e vjedhjeve janë:
- Më datë 09.03.2022, në lagjen nr. 5, ka vjedhur një aparat celuar në një furrë buke, në pronësi të shtetasit D. S.;
- Më datë 07.03.2022, ka vjedhur një biçikletë në pronësi të shtetasit A. B., në lagjen nr. 11, Durrës;
- Më datë 24.01.2022, ka vjedhur një sasi lekësh në një furrë buke, në lagjen nr. 12 Durrës, në pronësi të shtetasit E. K.;
- Më datë 11.01.2022, ka vjedhur një sasi lekësh në dyqanin ushqimor në pronësi të shtetases N. Sh., në lagjen nr. 2, Durrës.
- Më datë 17.12.2022, ka vjedhur një biçikletë në pronësi të shtetasit A. B., në lagjen nr. 1 Durrës.