Ministria e Jashtme e Rusisë e ka ftuar në bisedë ambasadorin amerikan në Rusi, John Sullivan, pas deklaratave të bëra së fundmi nga presidenti Joe Biden, i cili e quajti presidentin rus, Vladimir Putin, “kriminel lufte” për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ministria tha përmes një deklarate më 21 mars se lëshoi një demarsh dhe i dorëzoi një notë proteste Sullivanit “në lidhje me deklaratat e papranueshme të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, në lidhje me presidentin e Rusisë”.
“Deklarata të tilla të bëra nga një president amerikan, të cilat nuk janë të denja për një burrë shteti, kanë vendosur raportet ruso-amerikane në prag të prishjes”, thuhet në deklaratë.
Biden e quajti Putinin “kriminel lufte” teksa foli për gazetarët më 16 mars.
Një ditë më vonë ai iu referua Putinit si “bandit” dhe “diktator vrasës”, megjithëse nuk e përsëriti akuzën për “kriminel lufte”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka deklaruar se Biden “po fliste nga zemra” kur bëri këto deklarata, pasi kishte parë pamjet në televizion “të veprimeve barbare dhe brutale të një diktatori përmes pushtimit të një shteti të huaj”.
Që prej se Putin ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt, disa caqe civile – përfshirë spitale, shkolla, ndërtesa banimi dhe struktura të tjera civile – janë goditur nga sulmet ajrore ruse.
Rusia mohon se shënjestron objektiva civile pavarësisht provave të mëdha që dëshmojnë të kundërtën.
/b.h