Bashkia e Tiranës rikthen nesër, më 22 Mars, nismën “Dita pa Makina”, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për të shmanguar të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre, duke ua lënë vendin aktiviteteve të organizuara për fëmijët, të rinjtë dhe prindërit.
Për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të organizohen nesër, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa rrugë të qytetit.
Sipas planit, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve nga ora 09:00 deri në orën 15:00, në segmentet e mëposhtme:
• Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish- Hotel Dajti”.
• Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e “ish Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
• Segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kurse qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet, sipas planit të lëvizjes më poshtë:
Për bllokimin e segmentit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish- Hotel Dajti” dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e “ish Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”
• Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet, në rrugët “Lek Dukagjini”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, në Blv “Zhan D’ Ark” dhe Blv “Bajram Curri”
Për bllokimin e segmentit të rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
• Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet, në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova”, drejtim i detyruar djathtas.
Lidhur me itinerarin e lëvizjes së mjeteve të linjave urbane, do të vazhdojë lëvizjen si më poshtë:
• Të gjitha Linjat që kalojnë në rrugën “Abdi Toptani” të devijojnë në rrugën “Ibrahim Rrugova” me drejtim në Blv “Bajram Curri”.
• Linja “Tirana e Re” do të devijojë te sheshi Willson” dhe te “UFO”.
/a.r