Nga Lawrence J.Korb & Stephen Cimbala “National Interest”
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, ka hyrë që tani tek ironitë më të mëdha në histori. Historia tregon se luftërat fillojnë sepse udhëheqës shtetesh apo komandantët e tyre, besojnë në të paktën 3 ide:së pari, që lufta do të jetë relativisht e shkurtër; së dyti, që ajo luftë do të përfundojë me fitoren e tyre; dhe së treti, që kostoja e luftës, sa i përket viktimave ushtarake dhe civile, dhe humbjet ekonomike, do të jetë relativisht e vogël në krahasim me përfitimet e pritshme.
Për më tepër, vlerësimet mbi qëllimet dhe aftësitë e armikut, janë shpeshherë të turbullta, dhe të bazuara në informacione të vjetruara ose interpretime të njëanshme. Në rastin e Rusisë, Car Nikolla II autorizoi në vitin 1904 nisjen e një lufte kundër Japonisë, me shpresën se kjo e fundit do të mposhtej me shpejtësi në tokë dhe në det.
Por humbja e papritur e Rusisë, shkaktoi revolta të mëdha në Shën Petersburg në vitin 1905. Edhe pse kryengritja u shtyp, ajo nxori në pah brishtësinë e regjimit. Në vitin 1917, në kulmin e problemeve që kishte shkaktuar Lufta e Parë Botërore, ajo u rrëzua. Së pari, pas abdikimit të Carit nga froni në favor të qeverisë Kerensky, dhe pastaj gjatë Revolucionit Bolshevik të nëntorit të atij viti.
Vladimir Putin nuk është Nikolla II. Deri në fillim të këtij viti, ai e kishte vënë theksin tek ajo që ekspertët perëndimorë e kanë quajtur “lufta në zonën gri” ose “lufta kufitare”, në të cilën fuqia ushtarake përdoret për të mbështetur objektivat politike dhe anasjelltas.
Objektivat e tij kryesore ishin destabilizimi i ish-republikave sovjetike, dhe krijimi i enklavave pro-ruse, si në Gjeorgji në vitin 2008, dhe në Ukrainë në vitin 2014. Përdorimi i forcës nga Rusia ishte i kufizuar, dhe ndonëse ndonjëherë ishte në një ofensivë taktike, Moska mbeti në mbrojtje në raport me synimet e saj strategjike.
Synimi ishte të kundërshtohej perëndimorizimi i hapësirës ish-sovjetike në Evropë, dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla i dominuar nga SHBA-ja, që sipas pikëpamjes së Putinit e vendos Rusinë në një pozitë të disavantazhuar. Putini e ka shprehur hapur zhgënjimin e tij me zgjerimin e NATO-s.
Dhe frika e përhapjes së “revolucioneve shumëngjyrëshe” në Rusi, po e nxiste atë në mënyrë të qëndrueshme drejt krijimit të një ushtrie ruse më profesionale dhe më të aftë. Në vitin 2007, Putin i tronditi pjesëmarrësit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke deklaruar publikisht se ishte koha që një strukturë e fuqisë ndërkombëtare “unipolare” e dominuar nga SHBA-ja, t’i linte vendin një bote shumëpolare, e cila përfshinte Rusinë midis fuqive të saj të mëdha.
Lufta e Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008, aneksimi i Krimesë dhe destabilizimi i Ukrainës Lindore në vitin 2014, paralajmëruan ardhjen e erërave të pafavorshme. Në vitin 2018, Putin e përdori fjalimin e tij në parlamentin rus për ta njohur botën me armët e avancuara, përfshirë raketat hipersonike me energji bërthamore.
Pastaj pasuan disa stërvitje ushtarake të profilit të lartë, ku merrnin pjesë edhe trupat kineze.
Në pranverën dhe verën e viti të kaluar, Rusia mobilizoi forca të mëdha në kufi me Ukrainën. Pritshmëritë e Rusisë për një fitore relativisht të shpejtë dhe me kosto të ulët në Ukrainë, bazoheshin në vlerësimet e tyre të njëanshme të aftësive ushtarake të Ukrainës dhe tek nënvlerësimi i lidershipit të saj.
Dikur Volodymyr Zelenskyy ishte njeriu më qesharak në Ukrainë. Papritmas ai u shndërrua në një Ëinston Churchill të Evropës Lindore, duke udhëhequr rezistencën e fortë të vendit të tij, dhe duke e mundur Rusinë në luftën e informacionit. Në vend se të arratisej në një vend tjetër të sigurt, siç priste Putin, Zelenskyy u shndërrua në një simbol kombëtar, ndërsa komunikonte me udhëheqësit e NATO-s dhe të tjerët jashtë Ukrainës.
Dhe sot Rusia po sulmohet nga të gjitha vendet e botës, pjesërisht si rezultat i taktikave të saj të ngathta të dezinformimit në stilin e vjetër sovjetik, dhe pjesërisht për shkak të gatishmërisë së saj për të kryer masakra ndaj civilëve.
Në dallim nga epoka sovjetike, kamerat e telefonave celularë filmojnë sot çdo veprim në kohë reale, duke i zhvlerësuar deklaratat e zyrtarëve rusë. Shërbimet sekrete amerikane, i de-klasifikuan me shpejtësi provat e dezinformatave ruse, duke i bërë ato publike edhe në mediat globale.
Brenda një jave apo më shumë pas pushtimit, Rusia e kishte humbur tashmë luftën e informacionit të imazheve dhe memeve, teksa efekti i sanksioneve ekonomike të vendosura nga qeveritë, u rëndua nga poshtërimi i përshkrimi të liderëve rusë si kriminelë lufte në mediat e gjithë botës.
Lufta e Putinit u bllokua që në fillim të marsit, për shkak të performancës së dobët të ushtrisë ruse, në krahasim me pritshmëritë e saj. Reformat ushtarake të Rusisë në vitet 2008-2012 por dhe më tej, synonin të prodhonin më shumë forca të kombinuara të armëve të lëvizshme dhe vdekjeprurëse.
Po ashtu kishte një numër më të madh ushtarësh me kontratë, krahasuar me rekrutët, së bashku me armë dhe sisteme të përmirësuara të komandës dhe kontrollit. Por për habinë dhe zhgënjimin e Putin, ofensiva tokësore e Rusisë nga Bjellorusia ngeci përgjatë një kolone furnizimi mbi 60 km të gjatë, që lëvizi me ritmin e kërmillit krahasuar me objektivat e saj.
Ndërkaq nuk ishin të rralla raportet mediatike për ushtarë të pakënaqur midis forcave tokësore ruse. Pas 2 javë luftimesh, Rusia nuk e kishte vendosur ende nën kontroll hapësirën ajrore. Përballë këtij ngërçi ushtarak, Putin i shtoi sulmet ruse me raketa dhe ajrore kundër civilëve dhe strukturave urbane, duke sulmuar spitalet, dhe duke synuar të frikësonte udhëheqjen ukrainase dhe popullsinë civile.
Por as kjo taktikë nuk ka gjasa të ketë sukses. Sipas të gjitha gjasave, më shumë sulme ndaj civilëve, vetëm sa po e rritin izolimin politik global, dhe dëmet ekonomike të Rusisë. Putins dukej i vendosur ta rrëzonte regjimin në Ukrainë dhe të negocionte ngritjen e një qeverie-kukull pas luftës.
Ndaj nuk duhet të përjashtohet mundësia e një konflikti që zgjat për shumë javë apo edhe muaj. Po si do të përfundojë kjo luftë? Fatkeqësisht, për momentin ka pak arsye të jemi optimistë. Ekzistojnë një sërë rezultatesh të mundshme.
Së pari, mund të dominojë qasja agresive e Putins, dhe mund të kemi një Ukrainë kaotike nën kontrollin e tij nga distanca. Sipas skenarit të dytë, Putini nuk arrin të rrëzojë Zelenskyin dhe qeverinë e tij, ndaj mund ta zgjerojë luftën në vendet që ofrojnë ndihmë për Ukrainën, apo të përdorë armët bërthamore taktike për të shmangur poshtërimin nga disfata.
Së treti, mund të kemi një konflikt të stërzgjatur që vazhdon për shumë javë ose muaj, nën hijen e përhershme të përshkallëzimit të mundshëm bërthamor. Së katërti, mund të kemi një ndjenjë rraskapitjeje nga të dyja palët, dhe një proces negocimi që prodhon një marrëveshje paqeje të pranueshme, të ndërmjetësuar nga vende si Turqia, Izraeli, Franca ose Gjermania. Opsioni i katërt duket të jetë më i miri. Por a mund të arrijmë atje? Shpresojmë që po, përpara se të ketë më shumë vdekje dhe shkatërrime.