Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur fillimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thekson se ky projekt rriti ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus.
“Projekti TAP e përfshiu Shqipërinë në hartën e infrastrukturës energjetike strategjike europiane, veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë sfiduese ndaj arkitekturës së sigurisë europiane dhe euroatlantike!”, shkruan Meta.
Postimi i Presidentit Ilir Meta
Përshëndes fillimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.
TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me Qeverinë e Azerbajxhanit.
Përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rriti ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus.
Projekti TAP e përfshiu Shqipërinë në hartën e infrastrukturës energjetike strategjike europiane, veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë sfiduese ndaj arkitekturës së sigurisë europiane dhe euroatlantike!
g.kosovari