Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se shumica nuk ka asnjë merak të zhvillojë debat më këdo për gjithçka, por për çështje çmimesh, Balla theksoi se shumica parlamentare e ka të pamundur të bëjë debat me ‘non-gratat’.
“Keni prej ditës së parë që keni hedhur gurin, por nuk keni fshehur as dorën. S’ka asnjë dyshim që ne duam në çdo moment të bëjmë debat, por debatin duam ta bëjmë direkt me ata që preken nga pasojat e kësaj lufte dhe që janë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, ku dhe tani që flasim kryeministri Rama është duke zhvilluar një takim me qytetarët e prekur. Sa për Saliun tuaj që nuk e ka ditur kurrë sa është çmimi i naftës, sepse nuk e ka paguar kurrë nga xhepi i vet çmimin e naftës, ju lutem na e kurseni këtë lloj pisllëku që mundoheni të bëni këtu në këtë sallë”, tha Balla.
Sa i përket rritjes së çmimeve, Balla tha se kjo është çështje që ka prekur gjithë Europën dhe mbarë botën.
“Është një mjet presioni politik që Rusia po përdor çmimet duke ndaluar eksportet, dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë. Turpi më i madh është që asnjë vend tjetër në Europë, opozita nuk po e perdor këtë moment kaq kritik për Europën për hesape politike. Ju vazhdoni, shkoni dhe në proteste ditën e shtunë, vazhdoni ngarkoni kamiona dhe autobuza për të sjellë me mbetjet e non-gratave, për tju bashkuar protestave. Sa kohë Sali Berisha dhe televizioni I të birit të Saliut dhe televizionet e Vladimir Putin ti bëjnë jehonë protestave që ju organizoni mbajini me shëndet, ndërkohë që Parlamenti është I detyruar të vijojë punën e tij me të gjitha çështjet që janë planifikuar në rendin e ditës së kësaj seance”, deklaroi Balla.
/a.r