“Shqipëria ka dërguar mjete ushtarake në Ukrainë, si edhe ka pozicionuar trupat e saj në Letoni.
Gjithashtu po shtohet vazhdimisht prezenca në KFOR dhe në lindje. Ka një angazhim për të çuar një togë shtesë”.
Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një intervistë për emisionin Sot në Euronews Albania, ku dha detaje mbi angazhimin e Shqipërisë në luftën në Ukrainë, si edhe mbi diskutimet në takimin e ministrave të Mbrojtjes të shteteve që janë në NATO, që u zhvillua në Bruksel të mërkurën.
Cila është ndihma që mund t’i japë sot ushtria shqiptare ushtrisë dhe popullit ukrainas që po lufton kundër okupatorit rus? Çfarë ndihme konkrete mund t’i japim ne sot Ukrainës?
Së pari më lejoni të ndaj me ju tematikën apo fokusin e samitit të sotëm, që është si e thatë ju ishte një samit i jashtëzakonshëm i ministrave të Mbrojtës së NATO-s. Vendet anëtarë të NATO-s aleatët kanë ndarë me njëri-tjetrin kontributet që janë dhënë dhe lëvruar për Ukrainën si dhe gatishmërinë për të shtuar dhe për të përforcuar mbështetjen, qoftë me mjete ushtarake, qoftë me mbështetje humanitare për Ukrainën.
Shqipëria pa dyshim që nuk është prapa vendeve të tjera, ne kemi tashmë dërguar ndihmën e parë të rëndësishme, të qenësishme ne mjete ushtarake në Ukrainë dhe jemi angazhuar edhe sot e në vijim për të shtuar kontributet me gjithë mundësitë tona, qoftë me municione dhe me mjete ushtarake, por pa dyshim edhe me pajisje humanitare qoftë nga ushtria shqiptare, por edhe nga shoqëria civile.
Të mbetemi pak më konkretisht tek ndihma ushtarake që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës, flasim për mjete ushtarake brenda kapaciteteve dhe mundësive që ka Shqipëria, për çfarë bëhet fjalë, çfarë kemi çuar ne sot në Ukrainë?
Unë ju kërkoj ndjesë që nuk mund të ndaj në detaje sasitë dhe llojin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake që ne i kemi lëvruar Ukrainës. Na kanë ndihmuar dhe mbështetur me logjistikë vende anëtare të NATO-s, të cilat gjithashtu preferoj t’i mbajmë diskrete për arsye të kuptueshme, por dëshiroj të them që kjo ndihmë ka qenë e qenësishme, qoftë në vlerë, qoftë në sasi. Po ashtu e përshëndetur dhe e falënderuar edhe nga vetë presidenti Zelensky, para një jave, ku pati dhe një telefonatë me kryeministrin Rama për ta falënderuar dhe për të diskutuar se ç’mund të bëjmë ne më tepër për Ukrainën. Natyrisht ashtu si kryeministri edhe unë në të gjitha takimet dhe samitet, të cilat do të jenë si e thatë ju të herëpashershme, të shpeshta dhe të jashtëzakonshme në këto kohë, në ndjekje të situatës të mbajmë shënim dhe të angazhohemi, për gjithçka mundemi në ndihmë të Ukrainës.
Në qoftë se sot ne po konfirmojmë këtë ndihmë për Ukrainën, çfarë do të ndodhë në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s që pritet të mbahet në Bruksel në datën 24 Mars? A do të përshkallëzohet ndihma? Ky Ministerial sot i paraprin Samitit të jashtëzakonshëm, ku do të jetë ndryshimi midis vendimmarrjes që ka pasur sot Ministeriali dhe Samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s që mbahet më 24 Mars?
Ministeriali i sotëm nuk ka marrë ndonjë vendim mbi ndonjë dokument të caktuar, Ministeriali i sotëm ka pasur për synim të konfirmoj kontributet dhe vullnetin për të shtuar kontributet, së dyti për të forcuar unitetin i cili si po vlerësohet nga të gjithë ministrat tani që flasim në Samit është përparësi më i rëndësishëm dhe lë të themi pozitivja e gjithë ngjarjes negative, agresionit të tmerrshëm që po ndodh nga Rusia në Ukrainë.
Nuk ka qenë kur më parë Aleanca e NATO më e bashkuar se sot. Sot nuk ka më dallime brenda aleatëve janë të gjithë të njëzëshëm. Janë të gjithë të gatshëm dhe të bindur se ne duhet të forcojmë mbrojtjen, duke mbështetur Ukrainën. Është e rëndësishme që lufta në Ukrainë të fitohet nga Ukraina, Putin të dështojë dhe të dekurajohet për të mos vazhduar agresionin e tij në vende të cilat janë të rrezikuara me shumë të drejtë. Dua të kujtojë këtu që Ballkani Perëndimor nuk është shumë larg në reze nga kjo vatër.
Është real rreziku dhe nëse flasim për rrezik për rajonin e Ballkanit, cilat vende keni parasysh dhe nga mund të vij ky rrezik, nga mund të vijë ky agresion?
Një nga rezultat e Samitit të sotëm sidomos në pjesën e dytë të tij, është forcimi dhe vullneti i të gjithë aleatëve për të forcuar krahun lindor të Aleancës, që do të thotë vendet që janë në kufi dhe pranë Rusisë. Në nuk jemi, Ballkani Perëndimor nuk është drejtpërdrejt në frontin e parë të lindjes, por ne jemi le të themi në frontin e dytë. Ajo çka e bënë të brishtë Ballkanin tonë është fakti se jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të vendosur në orientimin perëndimor, kemi shtete si Serbia për shembull, apo Bosnja që janë të lëkundura në qëndrimin e tyre. Kjo e bën situatën politikë në Ballkan të jetë e ndikueshme nga agresioni rus. Pikërisht fuqizim që po vendoset sot dhe po merret vullneti i të gjithë anëtarëve, fuqizimi i prezencës me njësi të shtuara ushtarake në lindje, dekurajon Rusinë për të pretenduar ta shtrijë destabilitetin edhe në Ballkanin tonë Perëndimor.
Jemi fatlum qe jemi vend anëtarë në NATO si e kemi thënë edhe më parë, por vetëm tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në NATO. Sot është momenti të rikujtojmë se edhe procesi ynë integrues në BE si një nga dy strukturat kryesore euro-atlantike duhet të marrë një shpejtësi të re qoftë për Shqipërinë, qoftë për vende të tjera të Ballkanit perëndimor në mënyrë që ne të ndjehemi më të sigurt dhe në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor ta shohin prosperitetin e tyre shoqëror dhe ekonomik nga perëndimi.
Ka një garanci të shprehur, qoftë në takimin në Ministerialin e sotëm, apo të gjitha takimet diplomatike që janë mbajtur në nivel të lartë të BE për të përshpejtuar rrugën e Shqipërisë në BE dhe ndoshta anëtarësimin në NATO të Kosovës, në këto kushte të tensionit politik dhe ushtarak që është krijuar në Europë?
Takimi i ministrave të brendshëm të NATO-a nuk është forumi dhe platforma ku mund të merren angazhime të tilla, por gjithsesi mund të ndaj me ju faktin që jo vetëm Shqipëria, Jo vetëm Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, pra vendet anëtare në NATO të Ballkanit perëndimor, por edhe vende të tjera si Italia, Bullgaria dhe vende të tjera shumë të ndjeshme për zhvillimet në Ballkanin perëndimor kanë rikujtuar edhe njëherë se Ballkani Perëndimor duhet të marrë një vëmendje të shtuar, qoftë duke përshpejtuar proceset integruese në BE dhe NATO, qoftë edhe duke forcuar prezencën ushtarake në to. Kjo që po ndodh, Shqipëria është pjesë e shtimit të njësive ushtarake qoftë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë dhe në Bosnje, qoftë edhe në Lindje si po e thosha edhe pak më lart. Por ndërkohë ju keni ndjekur Borrel, i cili e ka thënë se BE ka një vullnet dhe duhet të përshpejtojë proceset integruese të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në të.
Unë dua t’ju bëj disa pyetje të tjera për të cilat ka shumë kuriozitet.
A është gati Shqipëria nëse do të nevojitet gjithmonë që të aktivizojë forcat rezerviste dhe sa është numri i forcave rezerviste që ne kemi sot në dispozicion?
Ashtu si e thashë ne jemi pjesë e NATO dhe i marrim detyrat, angazhimet dhe direktivat në raport me komandanatin suprem të NATO-s. Deri tani na është kërkuar që të shtojmë disa njësi ushtarake në rajonin e Ballkanit dhe në lindje dhe ne jemi angazhuar dhe tani kemi edhe vendimet e Këshillit të Ministrave të miratuara në fuqi dhe jemi në gatishmëri sapo të marrim komandën, sinjalin për ti alokuar këto trupa, këto njësi shtesë. Pra nuk jemi në skenarin e aktivizimit e mobilizimit edhe përtej Forcave tona të Armatosura, në forcat rezerviste e më tej, nuk jemi në skenar gatishmërie. Kjo në kuptimin që nuk e kemi ngritur nivelin tonë të gatishmërisë as ne, as vende të tjera në Ballkanin Perëndimor sepse nuk kalkulojmë por një rrezik me potencial të lartë për të ndodhur në Ballkanin Perëndimor, nuk jemi të shqetësuar për agresione të mundshme ushtarake tek ne. Ashtu si e thashë ne jemi aleat të NATO dhe artikulli 5 mbron çdo centimetër katror të hapësirë së NATO. Pra nuk është çështje te një agresion potencial ndaj Shqipërisë, për këtë do të duhet të jemi të gjithë të qetë.
Ne jemi të mbrojtur ashtu si është i mbrojtur çdo vend anëtar i NATO-s. Ajo që ne na shqetëson është destabiliteti dhe eskalimi politik që mund të ndodh në vendet e Ballkanit perëndimor, kryesisht tek ato vende që janë të pavendosura si duhet në orientimin e tij perëndimor, por që kanë influenca nga vlerat tona rivale siç është Rusia, por edhe Kina.
Nëse do të mbërrijmë tek ai skenar, a do të aktivizoheshin forcat tona rezerviste dhe a kemi ne një numër të konsiderueshëm forcash rezerviste?
Unë besoj që jemi shumë larg një skenari të tillë dhe mirë është që të mos bëjmë hipoteza sepse në opinionin publik pastaj do të shkaktonte një lloj frike dhe meraku të panevojshëm dhe të pajustifikuar për momentin.
Disa helikopterë që ne i kemi pjesë të FA që janë helikopterët Cougar, ndodhen për një servis në Poloni, si është historia e tyre kemi shumë vite që nuk dëgjojmë për këto helikopterë që i blemë dikur në kohën e një qeverie tjetër. A janë ata në gjendje funksionale dhe ky servis që po i bëhet për ti vënë në dispozicion nëse do të jetë nevoja?
Jo nuk ka lidhje, ato janë servise periodike që i bëhen mjeteve tona ajrorë, pra nuk ka lidhje fare me situatën apo me nevojën për rritjen e gatishmërisë.
Nuk jemi në skenarin e rritjes së gatishmërisë sonë, por serviset ndodhin në mënyrë periodike. Ne kemi filluar një bashkëpunim shumë të suksesshëm deri tani, me agjencinë e prokurimit të NATO, e cila prokuron për llogarinë tonë këto lloj shërbimesh periodike duke na ndihmuar dhe duke na bërë që disa dështime të së kaluarës, s’ka ndonjë sekret duhet ta themi, në mirëmbajtjen e helikopterëve, pra vonesat, në kryerjen të shërbimeve, tani i shmangim sepse fuqia kontaktuale e kësaj agjencie të specializuar të NATO është shumë më e madhe se e jona. Kontrata që ju sapo përmendët është një kontratë e vjetër që nuk është kryer nga agjencia e NATO-s, por ka qenë lidhur më parë nga Ministria e Mbrojtjes dhe tani është duke u lëvruar, por nuk ka lidhje me situatën.
Ajo që mund të jetë me interes është fakti që ne presim së shpejti të marrim dy helikopterë blackhok nga SHBA, të kontraktuar, të paguar presim tani lëvrimin madje nuk besoj se nxitohem nëse them që kalkulojmë edhe mundësitë për të rritur flotën e blachok madje për ta rritur edhe me mjete të tjera ajrore që lidhen edhe me situatën edhe në kuptimin që në këtë situatë kur themelet e arkitekturës në rajon dhe sigurisë evropiane po tronditen në tërësi janë lëkundur. Çdo vend duhet të rikalkulojë kapacitet e veta. Natyrisht ne kemi objektiv kapacitet e NATO për të përmbushur, por duhet të zhvillojmë dhe kapacitet tona kombëtarë.
Një nga pikat për të cilat po diskutohet në Samit është edhe riangazhimi për të respektuar detyrimit për të rritur buxhetin 2% të GDP-së deri në vitin 2024. Ne si Shqipëri jemi angazhuar jemi duke respektuar këtë grafik, por sot jemi të angazhuar të ripërsëritet ky angazhim.
Për flotën detare, për anijet Iliria edhe ato kanë pasur probleme me mirëmbajtjen, si është gjendja sot e flotës detare shqiptare, a është më problem mirëmbajtja e tyre? A do të investojmë në flotën detarë si po investojmë në flotën ajrore?
Po duhet thënë se disa nga objektivat e kapaciteteve lidhen edhe me modernizmin dhe shtimin e flotës detare. Problemet e mirëmbajtjes janë probleme në çdo fushë në çdo sektor mirëmbajtja është gjithmonë një dhembje koke do të thosha. Po ne sot që flasim kryejmë mirëmbajtjen e mjeteve tona detare nga një shoqëri aksionere që është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë kemi bërë një kontratë të vogël modeste, por shumë të rëndësishme me një kompani holandeze, e cila la bërë vlerësimin e nevojave të mirëmbajtjes. Shumë cilësore si produkt ka përfunduar tani që po flasim dhe mbi atë gjetje, pra mbi bazën e atij studimi ne do të kontraktojmë tani një mirëmbajtje më profesionale të mjeteve tona detare. I kemi në gjendje funksionale, por kane nevojë për mirëmbajtje për të qenë brenda standardit. Ka në manual të shërbimeve periodik edhe normalisht edhe defekte dhe nevoja për shërbime aktuale.
Cili është angazhimi tjetër i juaji në këtë Ministerial si ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë?
Ky Ministerial është i ndarë në dy sesione tani do të vijojë pjesa e dytë. Unë kam përsëri një fjalë për këtë sesion, ky sesion është kryesisht për angazhimin tonë për buxhetin e mbrojtjes të të gjitha vendeve anëtare, por edhe për gatishmërinë tonë për t’i dhënë mbështetje planeve të komandantit suprem të NATO-s dhe sekretarit të përgjithshëm për ta për ta përforcuar prezencën tonë në lindje. Me sa duket ajo prezence nuk do të jetë për një kohë të shkurtër aty, sepse po thosha që agresioni rus i pajustifikuar dhe barbar ka lëkundur gjithë peizazhin e sigurisë europiane, çka do të thotë se edhe NATO dhe vendet anëtare të saj do të rishohin strategjitë e tyre të sigurisë së mbrojtjes por padyshim por edhe prezencën në kufijtë me Rusinë.
Dhe një pyetje të fundit, kemi në sot forca në Poloni?
Jo ne nuk kemi forca në Poloni, ne kemi forca ne Letoni.
Kemi 20 trupa në Letoni. Jemi duke shtuar prezencën në KFOR dhe në lindje si e thashë jemi angazhuar që do të çojmë një togë shtesë.