Një nga gratë shtatzëna të plagosur në bombardimin e maternitetin në Mariupol nga një sulm ajror humbi jetën së bashku me fëmijën e saj të palindur.
Të gjithë e mbajmë mend momentin kur personeli shëndetësor ka hyrë në ndërtesën e spitalit të rrënuar dhe ka nxjerr një nga një gratë e lënduara shtatzëna dhe trupat e pajetë të disa prej tyre që nuk arritën t’i mbijetonin sulmit.
Mes tyre ishte edhe kjo nënë e re që më padurim ka pritur ardhjen e fëmijës së saj…por forcat ruse nuk mëshiruan asgjë, as atë dhe as bebin e saj akoma të palindur.
Imazhet e gruas që po dërgohej me urgjencë në një ambulancë me barelë kishin qarkulluar në botë, duke mishëruar tmerrin e sulmit.
Në videon dhe fotot e shkrepura të mërkurën e kaluar nga gazetarët e Associated Press pas sulmit në spital, gruaja u pa duke e përkëdhelur pjesën e poshtme të barkut të gjakosur teksa shpëtimtarët e futën me shpejtësi nëpër rrënojat në qytetin e rrethuar të Mariupolit.
Ishte ndër momentet më brutale deri më tani në luftën 19-ditore të Rusisë kundër Ukrainës.
Gruaja u dërgua me urgjencë në një spital tjetër, më afër vijës së frontit, ku mjekët punuan për ta mbajtur atë në jetë.
Duke kuptuar se ajo po humbiste fëmijën e saj, mjekët thanë se ajo u thirri atyre: ‘Më vrisni tani’.