Nga Mustafa Nano*
Dy gjëra lidhur me protestat që po bëhen. Së pari, Rama nuk kupton një gjë që ka një pakënaqësi të fortë, të egër, ndaj tij nga ana e atyre që nuk janë me të, nga ana e atyre që nuk votojnë për të. Madje, edhe nga ana e një pjesë të atyre që janë me të e votojnë për të. Dhe nëse kjo pakënaqësi nuk reflektohet me manifestime të mëdha në rrugë e me vota kundër kur ka zgjedhje, kjo ndodh – dihet tanimë- ngaqë nuk ka kush t’i drejtojë e t’i përfaqësojë.
Dhe kjo pakënaqësi lidhet së pari me një fuqi të shpërpjestimuar të tij. Çfarë ai ka ndërtuar përcjell idenë se në Shqipëri nuk ka asnjë tjetër, nuk ka asgjë tjetër, por vetëm një gjë, që quhet Edi Rama. Jemi në një regjim autokratik. Të tjerët që flasin për regjim diktatorial e policor ia fusin kot, por regjimi autokratik është fakti i kryer, është para syve tanë.
Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishme, nuk është varfëria që shqetëson. Është padrejtësia. Një njeri e pranon varfërinë si hise që i ka rënë mbi shpinë, por padrejtësinë nuk ta pranon. Çfarë nuk pranohet pra është sistemi i korruptuar që ekziston, në të cilin asgjë nuk bëhet nëse nuk korrupton dikë, nëse nuk ke një mik të fortë, nëse nuk ke lidhje me njerëz që kanë pushtet e që kanë para. Në këtë Shqipëri, në të cilën ne jetojmë, nuk ka fare rëndësi nëse ti je i zoti. Ka rëndësi që dikush me pushtet të të hap një derë. E prandaj, narrativa se Shqipëria është në duar të një grushti njerëzish, ka ngjitur në shoqëri. Ka ngjitur sepse është e vërtetë.
Kjo shkallë korrupsioni është vështirë e matshme, por Rama duhet ta dijë se sipas një perceptimi popullor, pushteti është i tëri i korruptuar. Ai ishte në komisionin parlamentar të hetimit mbi çështjen e inceneratorëve, dhe me të vetën e fitoi atë ballafaqim, i vuri përpara deputetët, por në të vërtetë nuk ka fituar gjë.
Në mendjen e shumë njerëzve, ndoshta të të gjithëve, ka mbetur faktin që brenda një dite janë hedhur 17 firma e vula nga krerë dikasteresh të ndryshme për një koncesion që do t’i jepej një privati. Rama tha se “nuk dinte gjë për këtë, se nuk është punë e tij të dijë për këtë gjë”, por është e sigurt se punë e tij është që pasi u tha kjo gjë, ai të ndërmerrte një kontroll për të verifikuar nëse kjo ishte e vërtetë. E nëse ishte e vërtetë, ai si kryeministër duhej të ndalej tek ata që e kanë bërë atë gjë.
Mirëpo Rama nuk bëri asgjë. Ai si rregull nuk bën asgjë. Thjesht ka thënë se “unë nuk mbaj përgjegjësi për çfarë bëjnë të mitë, dhe se nuk do mbrojë askënd prej drejtësisë”. Nga ana tjetër, mjaftohet që zgjedhjet, sa herë që ka zgjedhje, ai i fiton. Mirëpo, atyre që nuk e votojnë u ka vajtur atje ku nuk mban më. Dhe ata nuk është çudi që një ditë të bëhen të papërmbajtshëm. E të mbështeten edhe nga mbështetësit e Ramës.
Thirrja ime është: Edi Rama, ndrysho stilin e qeverisjes! Largo prej vetes vemjet, për të cilët ti mendon se janë kremi i kremit të Partisë Socialiste! Largo ata, për të cilët e gjithë Shqipëria flet, e të cilët ti i çon nga një post në një post tjetër. Mos prit që të shpallen non grata apo që t’i thërrasë SPAK-u, e pastaj ti të veprosh. Vepro ti para se të veprojë Departamenti Amerikan i Shtetit apo prokurorët e SPAK-ut. Dhe mos jeto me idenë se ti fiton zgjedhjet, dhe me kaq je ‘ok’. Sepse do të vijë dita që kjo nuk do të të mjaftojë, e nuk do të të lipset.
*Monologu i Nanos në emisionin Arnautistan