Deputeti dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi, përveç largimit të kryetarit të shkarkuar Lulzim Basha, kërkon që ai ta shoqërojë dorëheqjen e tij më një ndjesë publike ndaj gjithë demokratëve të cilëve iu hodhi gaz në 8 Janar.
Këlliçi thotë se Basha nuk është në pozitën që t’i vendosë kushte askujt pasi ka 6 humbje dhe nuk i ka mbetur asgjë për të negociuar.
Gjithashtu, Këlliçi, shkruan se, nesër në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha nuk mundet kurrësesi të kushtëzojë largimin e tij me largimin e Sali Berishës apo cilitdo anëtari tjetër të Komisionit të Rithemelimit.
Këlliçi iu ka bërë thirrje kolegëve të tij që të mos bien pre e kësaj tentative për një tjetër përçarje.
“Hera e fundit që Lulzim Basha foli si kryetar i Partisë Demokratike ishte më 11 dhjetor 2021.
Nëse po mendon të bëjë një akt largimi, ta bëjë nga pengmarrja e siglës së Partisë Demokratike, e vulës dhe e selisë së saj. Ta shoqërojë me një ndjesë publike për demokratët, se u hodhi gaz, u mohoi sakrificat, kontributet dhe i la në baltë 6 herë.
Lulzim Basha nuk është në pozitën t’i vendosë kushte askujt. Me 6 humbje në xhep nuk ka çfarë negocion.
Nesër në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha nuk mundet kurrësesi të kushtëzojë largimin e tij me largimin e Sali Berishës apo cilitdo anëtari tjetër të Komisionit të Rithemelimit.
Kolegët deputetë nuk mundet kurrësesi të bien pre e kësaj tentative përçarjeje të radhës.
Vendimet merren nga Kuvendi Kombëtar dhe anëtarësia e Partisë Demokratike!
I bëj thirrje miqësisht kolegëve të grupit parlamentar, të distancohen nga kjo tentativë e fundit e një humbësi për t’iu imponuar demokratëve!
Imponim ndaj votës së lirë nuk ka dhe nuk mund të ketë!
Respektoni anëtarët e partisë tuaj! Respektoni votën e zgjedhësve!
Respektoni votën e lirë!”, shkruan Këlliçi./m.j