Regjimi “barbar” i Rusisë mund të përdorë armë kimike në Ukrainë, ka thënë Boris Johnson. Kryeministri u bëri jehonë paralajmërimeve nga Uashingtoni mes frikës se një sulm i tillë mund ta tërheqë NATO-n më tej në konflikt.
“Ata fillojnë të thonë se ka armë kimike që janë ruajtur nga kundërshtarët e tyre ose nga amerikanët. Dhe kështu, kur ata vetë vendosin armë kimike, siç kam frikë se mund të kenë, ata janë si një lloj maskirovka, një histori e rreme gati për t’u nisur. E keni parë në Siri. E keni parë edhe në Mbreterine e Bashkuar, në Salisbur. Thjesht vërej se kjo është ajo që ata tashmë po bëjnë. Është një qeveri cinike, barbare, kam frikë”.
James Heappey, ministër i mbrojtjes, tha se përdorimi i armëve të tilla do të nxiste një “përgjigje ndërkombëtare”. Liz Truss, sekretarja e jashtme, tha se një sulm kimik do të ishte një tjetër “gabim i rëndë” nga presidenti Putin.
“Ne e kemi parë Rusinë të përdorë këto armë edhe më parë në fushat e konfliktit, por ky do të ishte një gabim i rëndë nga ana e Rusisë, duke shtuar gabimet e rënda që po bëhen tashmë nga Putini”, tha ajo për CNN.
Shtetet e Bashkuara kanë mohuar akuzat ruse dhe kineze se po operonin laboratorë të bio-luftës në Ukrainë. Pretendimet erdhën pas komenteve të kësaj jave nga Victoria Nuland, nënsekretarja amerikane e shtetit, e cila tha se kishte “objekte kërkimore biologjike” në Ukrainë që duheshin mbrojtur nga rënia në duart e Rusisë. SHBA ka hedhur poshtë pretendimet se këta ishin laboratorë të armëve biologjike si “të qeshura”.
/a.r