Pas fitores në gjykatë të betejës me FSHF për Shoqatën Rajonale të Futbollit në Tiranë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nisur inspektimet për terrenet e reja sportive në kryeqytet. Ai ishte në shkollën 9-vjeçare “Qazim Turdiu”, e cila u rindërtua pas rrënimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku u shpreh se Bashkia e Tiranës po tregon një vëmendje të veçantë në financimin e sportit.
“Fakti që në Tiranë kemi një lidership të ri edhe në futboll, do të thotë se kemi hapur një derë për një partneritet të ri, siç e kemi prej kohësh me basketbollin dhe volejbollin. Betejat e Tiranës nuk i lëmë përgjysmë, por çdo bashki, çdo sport, çdo federatë dhe komunitet duhet të bëjë betejën e vet. Në Tiranë e fituam betejën për të pasur një Federatë transparente, lidhur me Shoqatën e Futbollit, si dhe për të shfrytëzuar faktin se jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë për më shumë kampionate”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se tashmë futbolli i kryeqytetit, do të qeveriset në mënyrë transparente, ndërsa theksoi se terrenet sportive do të vendosen në dispozicion të federatave sportive.
“Sot Federatën e Volejbollit e kemi një ndër partnerët kryesorë; po ashtu, edhe federatën e basketbollit, klubin sportiv Tirana, e madje me vendimin e gjykatës, edhe Shoqatën e Futbollit për Tiranën e kemi vënë në rrugë të mbarë, pas një beteje të fituar. Se ç’bëjnë bashkitë e tjera dhe se ç’bën federata e madhe është punë e tyre. Nuk jam i sportit, jam i menaxhimit të qytetit, por ama u siguruam që të paktën në Tiranë nuk ka shkelje dhe të paktën Tirana qeveriset në mënyrë transparente. Kështu kemi mundësi që shoqatën e futbollit ta binjakëzojmë edhe me terrenet sportive, duke filluar nga terrenet në Laprakë, tek “Ali Demi”, terrenet në Kombinat dhe shumë prej terreneve që mund të përdoren, sidomos nga ata që merren me minifutbollin. Duam që të gjitha terrenet t’i vëmë në dispozicion të këtyre shoqatave”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë dhe organizimi i kampionatit mes shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit. Ai u shpreh se falë investimeve për terrene të reja sportive, tashmë Tirana ka mundësinë që të organizojë dhe të mikpresë aktivitete të rëndësishme sportive. “Në vitin e Rinisë I kemi në focus eventet e mëdha sportive. Më në fund jemi certifikuar se kemi mjaftueshëm ambiente për të pasur pritje dinjitoze të të gjitha ekipeve që vijnë nga jashtë. Mezi pres që këto punë të mira që kemi bërë me sportet e tjera, t’i bëjmë tani edhe me futbollin. Kemi një Shoqatë Futbolli të Tiranës, që është zgjedhur me transparencë, me vendim Gjykate, dhe me një betejë të fituar për të gjithë ata që donin drejtësi, të paktën të territorin ku shërben Bashkia e Tiranës”, theksoi Veliaj.