Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi zhvilloi një takim në Sallën e Komandimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, aty ku priten edhe raportime të rasteve të dhunës në familje, të cilat më pas ndiqen nga strukturat përkatëse.
Ministri shoqërohej në këtë takim edhe nga disa përfaqësuese të organizatave partnere të shoqërisë civile të të drejtave të grave dhe parandalimit të dhunës në familje. Teksa vlerësoi anën infrastrukturore të Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ministri Çuçi vuri theksin te parandalimi si një çështje e përbashkët e të gjithë institucioneve dhe shoqërisë.
“Ajo që mbetet akoma më shumë për të bërë është parandalimi. Kjo është çështja ku duhet të punojmë bashkë ngushtësisht sepse nuk lidhet vetëm me punën e policisë, nuk lidhet vetëm me shoqërinë civile apo gjithë institucionet shtetërore që merren me përkujdesjen sociale, por lidhet me të gjithë ne. Është një gjë që duhet ta koordinojmë sa më mirë në mënyrë që parandalimi të ketë një fokus më të veçantë. Kjo nuk është një gjë e lehtë. Kërkon mobilizim dhe koordinim të të gjithë strukturave tona. Sot Policia e Shtetit është gati për të kontribuar në këtë kombinim të të gjithë institucioneve për të arritur qëllimin final që të kemi sa më pak raste të dhunës në familje dhe për të rritur ndërgjegjësimin që të raportohet sa më shumë ky fenomen”, u shpreh ministri Çuçi.
Për raportimin e rasteve të dhunës në familje te Policia e Shtetit janë disa kanale, duke filluar që nga Komisariati Dixhital e deri te sportelet pranë komisariateve, aplikacioni “Bright Sky” apo telefonatat në sallën e komandimit në çdo drejtori vendore. Te Salla e Komandimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë mbi 60% e punonjësve janë gra e vajza.
Muaji mars përkon me nisjen e një fushate ndërgjegjësimi në të gjithë vendin, bashkë me organizatat e shoqërisë civile, për të rritur sensibilizimin për parandalimin e dhunës në familje dhe për ta denoncuar atë në Policinë e Shtetit, e cila reagon me të gjithë strukturat përkatëse për të zgjidhur nevojat për siguri dhe mbrojtje sociale të viktimave të dhunës.
g.kosovari