Termocentrali bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u përfshi nga flakët pas bombardimeve ruse. Por forcat ukrainase arritën ta shuanin zjarrin. Trupat ruse u raportua se shkaktuan disa viktima me këtë sulm, por njëkohësisht edhe opinion publik në botë u frikësua.
Por çfarë rreziku paraqet realisht Zaporizhzhia dhe çfarë mund të ndodhë me të? Përmes një lidhje direkte nga Vjena, eksperti i Energjisë Bërthamorë, Baftjar Novruzaj, foli për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV.
“Bombardimi ka prekur pjesë jo esenciale të centralit bërthamor. Tani për tani nuk ka rrezik që të ndodhë ajo që ndodhi në Fukushima apo Çernobilt. Deri tani është cenuar vetëm siguria fizike. Zoprizhzhia është sajti i gjashtë bërthamor në botë sa i përket kapacitetit. Gjendja e këtij centrali është që mund të vihet në funksion të plotë, por për momentin pjesë të tij janë në stand-by. Nuk e di ekzaktësisht çfarë modeli janë reaktorët bërthamorë, por në Perëndim ata janë dizenjuar që të durojnë edhe goditjet me artileri. Në opinionin tim nuk do të shkohet deri aty sa të preket integriteti fizik i tyre, sepse do të ishte një katastrofë edhe për vetë Rusinë. I bie që Rusia të vetëvritet. Ndërsa reja do të përhapej në të gjithë globin. Unë mendoj që kjo që ndodhi ishte një manovër për të shantazhuar dhe dekurajuar çdo rezistencë” – tha Novruzaj për ‘Kontrast’.
Shqiptarja.com