Naim Dosku, babai i Maria Doskut që u vra në Greqi së bashku me bashkëshortin Armando dhe dy fëmijët, 1 dhe 2 vjeç ka zbuluar se lajmin tragjik e ka mësuar përmes mediave.
Naimi u shpreh se e kuptoi që kishte ndodhur diçka e rëndë kur vajza nga Durrësi u shfaq në derën e shtëpisë.
Sa i përket pistës së dyshuar për vrasjen e katër anëtarëve të familjes nga ish bashkëshorti grek i Marias, i ati tha se janë ndarë në mënyrë paqësore dhe nuk mendon që të jetë ai autori. Ndërsa për banesën ku jetonte dhe u gjetën të vrarë, Naim Dosku tregoi se do ta lironin në fund të muajit sepse mbaronte kontrata, por ditët e fundit ishin ankuar për energjinë elektrike.
Kjo lidhet edhe me detajin që pronari i banesës, i cili është autori i dyshuar, kishte prerë dritat para se të kryente krimin.
Në Shqipëria Live, Naimi tha: “Nuk më dilnin në telefon, as ai, as Maria. Nga ora 6 vjen goca nga Durrësi, thashë po ju, atëherë u preva, nuk e dija se çfarë thoja më. I thoja nuk ka gjë, Armando është në spital. Maria kishte 3 fëmijë, 2 me lushnjarin, një me grekun. Është martuar.
Me grekun janë ndarë në mënyrë paqësore, vjen e rri me çunin, sjell shpërblimet e veta. Me Armandon kishte 3 vite. Para nja 4-5 ditëve, dritat ishin shumë të dobëta dhe nuk kishin stabilitet të punonte televizori e lavatriçja. Banesën do e lironte në fund të këtij muaji se kështu e kishte kontratën. Në atë shtëpi kanë ndejtur 2 vite, Maria merrej me fëmijët, Armando ka pasur punë se i njihnin të gjithë”.
I pyetur nëse do të presë trupat e viktimave për të bërë ceremoninë mortore në Shqipëri, ai tha: “Unë do i lutesha atyre njerëzve që janë me shpirtin tim, janë 4 xhenaze dhe unë nuk i përballoj dot me një kemp.” Fundjavë ndryshe ka marrë përsipër shpenzimet për të sjellë trupat në Shqipëri.
/a.r