Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), pranë Kryeministrisë, çeli mbrëmjen e së premtes sezonin e vitit 2016 me aktivitetin e titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas”.
Sipari i këtij sezoni i ishte besuar piktorit Edi Hila, veprat e të cilit u ekspozuan për artëdashësit dhe të pranishmit në ambientet e Qendrës.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Kryministri Edi Rama, i cili duke iu referuar në fjalën e tij edhe njohjes së kahershme me autorin, vlerësoi talentin “kryeneç” dhe formën unike nëpërmjet së cilës artisti Hila përcjell emocionin me veprat e tij.
“Hila i solli vetes shumë telashe”, tha Rama, ndërsa foli për një raport të vështirë të këtij artisti jo vetëm me godinat shtetërore, por edhe me drejtuesit e tyre ndër vite, sidomos para viteve ’90.
“Emocioni që kam është shumë i thjeshtë në arsye e ska të bëjë me pasionin tim, por me faktin që vepra e tij apo një seri e re e veprës së tij prezantohet për herë të parë në këtë godinë. Kush e njeh historinë e Edit me strukturën e shtetit e di se çfarë kam unë parasysh, me strukturën e shtetit me prezencë në jetën e tij që në fillim të viteve 70 që ai u shfaq ashtu siç ishte me një pasqyrë ku të tjerët lexuan një shtrembërim të regjimit dhe i solli vetes shumë telashe dhe e vendosi në një raport të komplikuar me godinat e shtetit”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se, për këdo që do vizitojë këtë ekspozitë, nuk do të jetë aspak humbje kohe.