Nga Armando Meta/
Ish- deputeti i PD-së, Ilir Rusmajli i cili qëndron pas draftit të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë për reformën në drejtësi, nuk është një personazh i panjohur për skenën politike shqiptare. Me ardhjen e Ylli Manjanit në ekzekutiv, Rusmajli u emërua si ekspert ligjor. Por ai ka qenë për shumë vite me rradhë jo vetëm një eksponent shumë i rëndësishëm i PD-së, duke pasur pozicionin e kreut të departamentit të ligjeve në PD, por edhe deputet i kësaj force politike për 2 legjislatura dhe kryetar i komisionit të ligjeve në Kuvend gjatë kohës që PD ishte në pushtet, si dhe ish-ministër i drejtësisë. Rusmali pasoi Ngjelën në krye të komisionit të ligjeve në Kuvend, pas shkarkimit të këtij të fundit nga Berisha.
Pozicioni më i lartë i Ilir Rusmajlit ka qenë ai i ministrit të Drejtësisë, gjatë kohës që kryeministër ishte z.Berisha. Ai dha dorëheqjen nga ky post, pasi akuzave ndaj tij dhe familjarëve të tij. Pas largimit nga komisioni i ligjeve, Rusmali njohu një largim gradual nga Berisha. Politikan i zgjuar, cinik dhe profesionist i mirë i ligjeve, ai u rebelua heshtur ndaj kryetarit të PD, pasi ai nuk u përfshi në listën e PD-së për deputet në zgjedhjet e vitit 2013.
Rusmali ka profil juridik dhe në jo pak raste ai ka vënë firmën e disa reformave, si në planin e reformës zgjedhore, ashtu edhe atë kushtetuese. Në fakt ka qenë vetë Rusmajli arkitekti i ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, që detyroi Ilir Metën dhe deputetët e tjerë të LSI, që të hyjnë në grevë urie në sallën e Kuvendit në atë kohë.
Pozicioni i tij politik si përfaqësues i PD-së ka qenë mjaft i spikatur, ashtu siç ka qenë i spikatur militantizmi i tij partiak, po të kihet parasysh edhe mënyra e drejtimit të komisionit parlamentar të ligjeve, ku përfaqësuesit e PS në opozitë përgjatë qeverisjes së PD-së, trajtoheshin deri dhe pa etikë.
Sot Rusmajli e sheh veten këshilltar të ministrit Manjani, duke hartuar një draft i cili duket se kërkon të ndërthurë në distancë pozicionet dhe interesat e PD-së dhe LSI-së për reformën në drejtësi.