Ushtarët rusë që po marrin pjesë në pushtimin e Ukrainës janë totaliosht ‘rrëmujë’ dhe të çorganizuar, tregojnë përgjimet e siguruara nga një kompani britanike e inteligjencës.
Bisedat e përgjuara të tyre teksa komunikojnë përmes radiove të ushtrisë, tregojnë se trupat ruse po refuzojnë t’i binden urdhrave të komandës qendrore për të bombarduar qytetet e Ukrainës dhe po ankohen për mbarimin e furnizimeve me ushqim dhe karburant.
Regjistrimet janë në mesin e rreth 24 orë përgjime të siguruara nga firma e inteligjencës ShadowBreak që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës javën e kaluar.
Në një nga bisedat e përgjuara, të siguruara nga The Telegraph, një ushtar duket se dëgjohet duke qarë.
Në një tjetër, një ushtar dëgjohet duke humbur durimin kur pyet se kur do të arrijë ushqimi ose karburanti. Ai thotë: ‘Kemi tre ditë këtu! Kur dreqin do të jetë gati?’
Pamjet e tjera të postuara në Facebook nga shërbimi ukrainas i sigurisë tregojnë trupat ruse të kapur rob duke u lutur që të afërmit e tyre të bënin thirrje për t’i dhënë fund luftës.
“Ne po vrasim njerëz paqësorë. Kjo nuk është lufta jonë. Nëna dhe gra, mblidhni burrat tuaj. Nuk ka nevojë të jeni këtu”, i tha një ushtar rus i plagosur ukrainasve që e kishin zënë rob, shkruan “Daily Mail”.
Komunikimet e përgjuara gjithashtu tregojnë se ushtarëve rusë u është thënë se do të hasnin pak rezistencë pas hyrjes në Ukrainë.
Por forcat ukrainase janë tani në ditën e shtatë të rezistencës ndaj sulmit rus dhe videot e shumta zbulojnë civilët që përballen me trupat dhe kolonat pushtuese.
/b.h