Nga Adriatik Doçi
Zbatimi i pothuajse të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rusisë, të nënshkruara pas viteve 1990, është pezulluar pa afat, pas vendimit të qeverisë shqiptare për të ndërmarrë paketën e parë të sanksioneve ndaj Rusisë, pas agresionit i paprovokuar dhe të paligjshëm rus ndaj Ukrainës. Sanksionet atakojnë udhëtimin e diplomatëve dhe njerëzve të biznesit, sektorët e financës, energjisë, transportit, teknologjisë dhe sportit, ndërsa parashikojnë mbylljen e hapësirës ajrore.
Po cilat janë marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Rusisë që do të ‘ngrijnë’ pas aplikimit të sanksioneve ndaj Moskës? Masa bllokuese të Shqipërisë do të pezullojnë pa afat zbatimin e marrëveshjes mes Rusisë dhe Shqipërisë mbi transportin detar dhe ajror, për udhëtimet e ndërsjella të qytetarëve, mbi bashkëpunimin në fushën e investimeve, të tregtisë, të kulturës dhe ndoshta marrëveshjen mbi njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit. Sanksionet pritet të ndikojnë duke ‘ngrirë’ zbatimin marrëveshjeve në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjen e mjedisit, të bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë ruse dhe Dhomës së Tregtisë shqiptare, mes televizioneve shtetërore të dy vendeve, mes dy bankave qendrore, marrëveshjen në fushën arkivave, konsultimeve diplomatike, energjisë etj.
Ndërkaq, edhe Rusia është përgjigjur duke ndaluar linjat ajrore me vendet evropiane. Mbetet për t’u parë se si do të ndikojnë sanksionet e Tiranës ndaj Moskës në ekonominë Shqiptare. Gjithsesi lufta në Ukrainë është reflektuar menjëherë në Shqipërisë. Çmimi i miellit dhe bukës ka nisur të rritet deri në 20 % në mënyrë abuzive.
Marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Rusisë:
Marrëveshja mbi transportin automobilistik dhe ajror
Marrëveshje bashkëpunimi në fushën arkivave
Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë
Marrëveshja bashkëpunimi në fushën e turizmit
Marrëveshje mbi transportin detar
Marrëveshja mes Rusisë dhe Shqipërisë për udhëtimet e ndërsjella të qytetarëve
Marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e kulturës
Protokolli midis MPJ ruse dhe MPJ shqiptare mbi konsultimet
Marrëveshja mbi njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit
Konventë për shmangien e tatimeve të dyfishta lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin
Marrëveshja bashkëpunimi midis Dhomës së Kontabilitetit të Rusisë dhe KLSH-së.
Marrëveshje bashkëpunimi midis Akademisë Diplomatike të Rusisë Akademisë Diplomatike të RSH
Marrëveshje bashkëpunimi midis “EES Rusia” dhe KESH
Marrëveshja midis qeverise ruse dhe qeverisë shqiptare mbi rregullimin e borxhit
Konventa për heqjen e tatimit të dyfishte për tatimet ndaj të ardhurave dhe mallit
Konventa konsullore midis Rusisë dhe Shqipërisë
Marrëveshje midis Bankës Qendrore të Rusisë dhe Bankës së Shqipërisë
Memorandumi bashkëpunimi mes ministrive të ndërtimit
Marrëveshje midis Akademisë Ruse të Shkencave dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Protokolli për miqësinë dhe bashkëpunimin midis qyteteve të Moskës dhe Tiranës
Marrëveshje për nxitjen e mbrojtjes se ndërsjellë të investimeve
Marrëveshje mbi tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe tekniko shkencor
Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e postave dhe ndërlidhjes elektrike
Marrëveshje midis Dhomës së Tregtisë ruse dhe Dhomës së Tregtisë shqiptare
Marrëveshje midis RTV shtetëror rus dhe RTSH shqiptar
Marrëveshje mbi bashkëpunimin midis ministrive të punëve të brendshme të dy vendeve
Marrëveshja mbi transportin automobilistik ndërkombëtar
Marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjen e mjedisit.
/shqiptarja.com/