Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje qeverisë që të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit dhe mbi planin e masave që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Basha tha se në vendin tonë “na lind detyra që të minimizojmë sa më parë pasojat” e luftës që po zhvillohet në Ukrainë.
“Por është e qartë për të gjithë, se agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi, nga çmimet e drithërave dhe vështirësimi i sigurimit të tyre, tek çmimi i karburanteve, dhe për rrjedhojë edhe i produkteve dhe shërbimeve të tjera. Për këtë arsye sot i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat edhe ne kushtet aktuale e kanë të vështirë të përballojnë nevojat bazë. Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit është e qartë për të gjithë. Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e popullsisë ne vend sot e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre. Në një situatë të rritjes së pritshme të çmimeve, ndodhemi përballë kërcënimit që vështirësitë në të cilën familjet shqiptare ndodhen, të thellohen edhe më shumë. Prandaj është parësore dhe duhet që menjëherë qeveria të ketë gati një plan masash që të mundësojnë sigurimin e rezervave të mjaftueshme ushqimore dhe të karburanteve, si dhe të përcaktojë mënyrat për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Rritja e mëtejshme e cmimit të karburanteve, që prej kohësh është bërë i papërballueshëm, do të ketë po ashtu pasoja të menjëhershme te cdo familje dhe sipermarrës. Prandaj duhet menjehere marrja e masave për të lehtësuar kostot shtesë”, tha Basha.
Kryedemokrati i bëri thirrje qeverisë që të marrë në shqyrtim dy masa të propozuara nga Partia Demokratike.
“1. Uljen e TVSH për ushqimet e shportës nga 20 në 6 % dhe
2. heqjen e menjëhershme të taksës Rama mbi Karburantin prej 240 lekësh për litër.
Ndonëse kjo situatë vjen prej zhvillimeve jashtë vendit, është detyrë e menjëhershme e qeverisë të marrë masa, dhe të bëjë transparencë duke informuar qytetarët, pa asnjë vonesë, sepse ndërkohë mediat kanë nisur të raportojnë blerjet masive të produkteve bazë nga qytetarët. Paniku nuk ndihmon në këtë situatë, e vështirëson atë. Prandaj duhet menjëherë, veprim, transparencë dhe informacion nga qeveria”, tha Basha.
/a.r