Të hënën, vlera e rublës ruse shënoi rënien më të madhe, për shkak të sanksioneve të ashpra që Perëndimi vendosi gjatë fundjavës. Sanksionet përfshinin ngrirjen e aseteve valutore të Rusisë dhe përjashtimin e bankave ruse nga SWIFT.
Ndërkohë, dollari amerikan u rrit deri në 40% kundrejt rublës. Kjo pritet të jetë një nga rëniet më të mëdha në historinë moderne të monedhës ruse, e ngjashme me krizën financiare të vendit në vitin 1998.
Mëngjesin e sotëm, banka qendrore ruse rriti normën e interesit nga 9.5% në 20% në një përpjekje për të frenuar rënien e rublës dhe ministria e financave e vendit urdhëroi kompanitë të konvertonin 80% të të ardhurave të tyre në rubla, shkruan abcnews.al
Rënia e rublës tregon se sa e izoluar është bërë tashmë qeveria ruse. Përjashtimi nga tregjet financiare ndërkombëtare mund t’i shkaktojë dëm kolosal ekonomisë. Një monedhë në rënie prek të gjitha importet, nga makinat tek produktet mjekësore.
Rënia e rublës do të reduktojë më tej cilësinë e jetesës për klasën e mesme ruse dhe do të dëmtojë çdo kompani që duhet të paguajë për mallrat dhe shërbimet jashtë shtetit. Banka qendrore e vendit ka urdhëruar institucionet financiare të refuzojnë kërkesat e klientëve të huaj, një lëvizje që mund të jetë fillimi i kontrolleve për të parandaluar daljet masive të kapitalit. Çdo ndalim për investitorët e huaj për të përdorur paratë e tyre mund të prishë atë pak që ka mbetur nga reputacioni i vendit si një destinacion investimi.
Gjatë fundjavës, qytetarët rusë kanë zënë radhën jashtë bankave për të tërhequr paratë e tyre. Çmimi i naftës ka shënuar rritje, për shkak të shqetësimeve për ndërprerje të furnizimit, ndoshta për shkak të embargove. Çmimi u rrit 100 dollarë për fuçi, 5% më shumë në krahasim me nivelet e tyre në fund të javës së kaluar.
Si një eksportues i madh i naftës dhe gazit, Rusia zakonisht do të përfitonte nga çmimet më të larta të energjisë. Por rënia e rublës sugjeron se të ardhurat shtesë nga shitja e mallrave pritet të zbehen në krahasim me dëmin e shkaktuar nga sanksionet, raporton abcnews.al
Por ndërsa investitorët përpiqen të punojnë për të përballuar efektet negative të sanksioneve, situata mund të përkeqësohet edhe më shumë. Kërcënimi për vendosjen e sanksioneve më të rënda është bërë gjithnjë e më real që kur tregjet financiare pësuan rënie gjatë fundjavës.
Njoftimi se Amerika, Britania dhe Bashkimi Europian kanë bllokuar bankën qendrore ruse,mund të pengojë aftësinë e Rusisë për të mbrojtur vlerën e monedhës së saj.
Të hënën në mëngjes, BE-ja ndaloi të gjitha transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë. Kuotat e ofertës dhe kërkesës së bankave ruse për dollarë amerikanë – çmimet me të cilat një tregtar do të blejë ose shesë u rritën në mënyrë dramatike gjatë fundjavës, duke demonstruar një pasiguri rreth asaj që pritet të ndodhë.
Sberbank, banka më e madhe e Rusisë, citoi një diferencë prej rreth 22% midis blerjeve dhe shitjeve edhe përpara lëvizjes së madhe të kursit të këmbimit të së hënës. Një javë më parë, kursi ishte vetëm 5%. Qeveria ruse ka rritur përpjekjet gjatë viteve të fundit për të mbrojtur veten nga ndikimi i plotë i çdo sanksioni të mëtejshëm ndërkombëtar.
Në vitin 2014, banka qendrore ruse krijoi një sistem alternativ të mesazheve financiare ndaj SWIFT, të quajtur SPFS.
Vitin e kaluar, vëllimi i transferatve tejkaloi 20% të niveleve të SWIFT në vitin 2020, me rreth 400 institucione që ishin pjesë e sistemit, duke përfshirë disa kompani të huaja. Në vitin 2020, kur Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj figurave politike dhe të sigurisë në Hong Kong, bankat kineze u tërhoqën. Arsyeja është se ata kishin frikë nga humbja e aksesit në pagesat dhe shlyerjet në dollarë.
Ekspozimi i drejtpërdrejtë midis sistemit financiar rus dhe pjesës tjetër të botës është i pakët, por jo inekzistent. Bankat me bazë në Rusi përfshijnë 134 miliardë dollarë detyrime ndaj institucioneve jashtë vendit, sipas të dhënave rreth 0.4% të totalit global. Katër të pestat e tregut të obligacioneve shtetërore prej 15,5 trilion rubla janë brenda vendit.
Një pjesë e vogël e bankave europiane – OTP e Hungarisë, Raiffeisen e Austrisë, Société Générale e Francës dhe UniCredit e Italisë janë tronditur nga situata Rusi-Ukrainë, sipas vlerësimeve globale të S&P, një agjenci e vlerësimit të kredisë.
Por efektet më të rëndësishme të sistemit financiar të Rusisë mund të rrjedhin përmes kanaleve reale ekonomike. Rritja e çmimit të naftës do të përkeqësojë inflacionin i cili tashmë është rritur në pjesën më të madhe të botës perëndimore.
Dhe çmimi i grurit është rritur me 7% brenda natës. Si një produkt ushqimor bazë në pjesën më të madhe të botës, më shumë ndërprerje të furnizimit do të nënkuptojnë edhe çmime më të larta ushqimore.
Sipas Rabobank, një bankë holandeze, Rusia dhe Ukraina përbëjnë së bashku 30% të eksporteve globale të grurit.
Bazuar në çmimet e tregut, investitorët ende presin që banka qendrore amerikane të rrisë normat e interesit me 0.25%. Nëse rubla mbetet e qëndrueshme, dëmi financiar për bizneset dhe mjetet e jetesës ruse mund të jetë në kontroll.
Ashtu si Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, është cilësuar një i pabesë duke pushtuar vendin fqinj, ashtu edhe ekonomia ruse mund të “izolohet” nga e gjithë bota.(Sonila Backa-abcnews.al)