Policia në Prizren ka pranuar një informatë jo të zakonshme këtë javë. Pronari i një lokali që riparon veturat kishte lajmëruar policinë se brenda një veture që ishte duke e riparuar kishte gjetur një granatë dore. “Rreth orës 16:30 minuta, policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në një ofiçinë për riparimin e automjeteve në rrugën “Kukësi” në Prizren, një qytetar e kishte dërguar veturën për servisim dhe gjatë punës, mjeshtri ka vërejtur një mjet të dyshimtë në pjesën e përparme të veturës”, thuhet në njoftimin e policisë. Pas marrjes së informatës dy njësite patrulluese menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë masat e sigurisë derisa kanë ardhur ekspertet për çmontimin e mjeteve të rrezikshme nga Policia e Kosovës të cilët siç thuhet në njoftim, mjetin e dyshimtë e që kishte qenë një granatë dore e kanë hequr nga vetura dhe të njëjtën e kanë marrë me vete. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.