Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se qeveria ka në plan që të vërë në dispozicion të fuqizimit të Spitalit të Traumës rreth 5 milionë euro, si pjesë e dy programeve me një vlerë të përgjithshme prej 10 milionë eurosh. Projekti tjetër, ka të bëjë me investimin në poliklinikat në Tiranë, Dibër, Korçë e Gjirokastër.
“Kemi dy programe të mëdha, 5 milionë euro për fuqizimin e poliklinikave në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Dibër, dhe 5 milionë euro të tjera fuqizimin e Qendrës Kombëtare të Traumës”, tha z. Beqaj.
Në një konferencë kushtuar për financimin spitalor, Ministri Beqaj tha se Shërbimi Kombëtar shëndetësor do të jetë paguesi i vetëm, duke bërë të ditur se qeveria shqiptare i referohet modelit amerikan “single pairy”.
“Synojmë të kalojmë nga pagesa e shërbimeve sipas kostove dhe më pas në vendosjen e DRG-ve. Në jemi të angazhuar për të kaluar te kjo mënyrë financimi e spitaleve. Do ndërtojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do të jetë paguesi i vetëm. Modeli është single pairy”, vijoi Beqaj.
Gjatë fjalës së tij ai tha se financimi mbetet ende problem në sistemin e shëndetësisë.
“Financimi mbetet ende problem në sistemin e shëndetësisë. Financimin publik ne e kemi më poshtë se OECD. Ndaj është shumë i rëndësishëm rialokimi i burimeve. Megjithatë, viti 2015 ishte viti i parë që rreth 54% i financimeve në shëndetësi kanë qënë publike. Në dy vite ne kemi mundur të ulim shpenzimet e qytetarëve për barnat. Por, ne gjithashtu do të financojmë dhe fuqizojmë Qëndrën e Traumës e do të optimizojmë shpenzimet aktuale të shëndetësisë. Pra, me të njejtat fonde do të kemi mundësi të bëjme më shumë”, u shpreh Beqaj.