Prokuroria e Pordenones në Itali ka përfunduar hetimet për një grup shqiptarësh që dyshohet se vidhnin veshje të markës H&M në Itali dhe më pasi i sillnin drejt Shqipërisë.
Hetimet të koordinuara mes palëve kishin nisur shtatorin e kaluar pas denoncimit të avokatit të kësaj kompanie i cili ishte ankuar për një sërë vjedhjesh në pikën e shitjes Gran Fiume në Veneto.
Në kuadër të hetimeve u zbulua skema që përdorej nga grupi i shqiptarëve i përbërë nga 5 gra dhe 4 burra që vepronin të alternuar në grupe.
Pasi kishin mbërritur në Itali ata qëndruan atje për rreth 10 ditë duke lëvizur me makina me qira. Ata u futën në disa dyqane të ndryshme ku morën veshje me shuma që arrijnë në mijëra euro.
Teknika që përdornin ata ishte gjithmonë e njëjtë, gratë hynin në dyqan dhe pasi i hiqnin rrobat nga varëset i fshihnin mes rafteve të dyqaneve. Më pas burrat futesh në dyqan duke i fshehur rrobat mes karrocave të blerjes të pajisura më parë me pajisje speciale kundër vjedhjes.
Një pjesëtar i grupit qëndronte jashtë për të lajmëruar bashkëpunëtorët e tij në rast se policia kalonte për kontrolle në zonë. Sipas mediave italiane vjedhja kryhej brenda orës dhe më pas anëtarët e grupit largoheshin me makina me qira në drejtim të qendrave të tjera tregtare.
Pasi mbaruan punë, ata janë kthyer në Shqipëri. Të dyshuarit akuzohen për 36 vjedhje të kryera në periudhën shtator-dhjetor.
Malli i vjedhur nxirrej në shitje në Shqipëri nga bashkëshortja e njëri prej të arrestuarve në dyqanet me logon “H&M” në Tiranë, Durrës dhe Vlorë që menaxhoheshin prej vetë asaj. Për këtë arsye dy bashkëshortët janë cilësuar krerët e organizatës kriminale.
/b.h