Banorët e zonës së “5 Majit” kanë nisur sërish sot protestën, pasi gjatë ditës pritet të shemben të tjera banesa.
Ata janë bërë bashkë për të mbrojtur banesat e tyre dhe për të mos lejuar autoritetet që të vijojnë me shembjet. Në zonë ka edhe prezencë të shtuar të forcave të policisë, pasi herë pas herë ka edhe tensione nga ana e banorëve.
Sot parashikohet që të shemben 12 banesa. Ndërsa më parë janë shembur dhjetëra të tjera. Prej disa kohësh banorët e “5 majit” por jo vetëm janë ngritur në protesta që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre.
Ata kërkojnë marrëveshje me qeverinë për banesat e reja dhe dëmshpërblimin në proporcion të drejtë me pronat që kishin.
Ditën e djeshme ata protestuan para zyrave të ARRSH, ndërkohë kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestat e tyre, deri në grevë urie para Kuvendit, ose poshtë banesave të tyre.
g.kosovari