Një qytet strategjik, i cili gjendet në kryqëzimin kryesor rrugor të Republikës së Shqipërisë, aty ku lidhet Tirana me Durrësin, por edhe veriu me jugun e vendit.
Sot, tre dekada, pas rënies së regjimit komunist dhe pas kalimit të periudhës më të vështirë të tranzicionit, Vora e gjen veten shumë të ndryshuar, me mjaft arritje, probleme, por edhe me sfida të mëdha.
Me këto të fundit kanë vendosur të përballen tre kandidatët, të cilët garojnë për fronin e kryebashkiakut të Bashkisë së Vorës.
Viti 2019 do të mbahet mend në historinë politike të Vorës si ai kur hegjemonia e demokratëve (e udhëhiqnin nga viti 2003), u thye nga vetë demokratët: Partia Demokratike i bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Kështu, socialistët do ta kishin të hapur rrugën.
Partia Socialiste (PS) zgjodhi si kryetar Agim Kajmaku.
I menjëhershëm ishte denoncimi i PD-së, së bashku me atë të Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe disa kryebashkiakë të tjerë të PS-së, për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Akuzat ndaj Kajmakut rezultuan të vërteta, pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme, duke u larguar nga detyra.
Por në “rrjetën e dekriminalizimit” në Vorë, do të binin edhe emrat pasardhës të Kajmakut.
Pas drejtimit nga dy nënkryetarët – njëri prej tyre do të shkarkohej – arsyeja: i kishte dhënë leje vetes për ndërtimin e një pallati.
Kurse tjetri, kryetari aktual i Bashkisë Vorë, Gentian Picari, do të pezullohej nga Gjykata Administrative, por vendimi u hodh poshtë.
“Strategjia e PS-së” për Vorën
Tanimë, socialistët vijnë me strategji të re, duke zgjedhur një person jo të njohur politikisht.
Kandidati i PS-së, Blerim Shera, psikolog në profesion, njihet për kontributin e dhënë në disa shkolla të vendit.
Ai do të diplomohej në vitin 2013, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit.
Për socialistët, Shera është faktori unifikues, që mendojnë se do t’u sjellë fitoren.
PD/”Shtëpia e Lirisë
Nga ana tjetër qëndron kandidati i Partisë Demokratike, Ymer Marku, i cili ka pasur një jetë aktive politike.
Nga viti 2003 deri në vitin 2015, Marku ka qenë kryetar i Komunës Bërxullë.
Po ashtu, ka shërbyer edhe katër vite si nënkryetar i Bashkisë Vorë.
Marku është diplomuar pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Sipas PD-së, lidhja e tij e drejtpërdrejtë në shërbim të komunitetit të Vorës ka filluar si kryetar i Komunës Bërxullë.
“Do të jem gjithmonë në shërbimin të banorëve të Vorës, me lidhje të drejtpërdrejtë me ta”, deklaroi Ymeri gjatë prezantimit të tij në bazën e demokratëve.
Kandidati i tretë, Lulzim Vrana, i cili de facto është përkrahësi i Berishës dhe de juro përfaqësuesi i LSI-së, zgjedhjeve u ka hyrë me përgjegjësi të mëdha.
Vrana, nga aleanca “Shtëpia e Lirisë”, po ashtu, ka pasur një jetë politike aktive.
Angazhimin e tij do ta niste që në vitin 1991, duke qenë një nga nismëtarët e krijimit të degës së PD-së në qytetin e Vorës.
I diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës për Ekonomi dhe Politika agrare, ka punuar si ekonomist.
Ai ka shërbyer si kryetar në degën 13, që përfshin Bashkinë, për të cilën kandidon dhe ish-komunat e saj.
Vrana është dhe anëtar i Këshillit Kombëtar në selinë blu.
Ndryshe nga kandidatët e tjerë, në retorikën e Ymerit, nuk njihet fjala humbje.
“Objektivi im është se qenia si qytetar i parë, unë do të punoj për ta. Unë do të jem kryetar dhe do të arrij që ta fitoj këtë bashki. Do kemi kontakte dhe me demokratë të tjerë. Po të jemi të bashkuar mund të arrijmë fitoren”, deklaroi ai që në zgjedhjen e tij si kandidat.
6 mars 2022
Vora do të shpallej bashki në vitin 1962.
Pas kësaj ngjarjeje, njësia administrative që shohim sot u formua nga entitete të ndryshme, rajonin e Marikajt të lidhur më tepër me zonën e Shijakut dhe zonën përreth qytetit të sotëm të Vorës të lidhur me krahinën e Tiranës.
Bashkia e Vorës ka tre njësi administrative, qendrën e saj Vorën dhe njësitë administrative Prezë e Bërxullë.
“Fokus te puna dhe në shërbim të banorëve”.
Kjo është pika ku takohen të tre kandidatët, por sekush do ta fitojë fronin e kryebashkiakut mbetet për t’u parë më datë 6 mars, e cila do të dekretohej nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme.
Përveç Vorës, janë edhe pesë bashki që “do të riformatohen” ose do të zgjasin mandatin e tyre ekzistues – Shkodër, Lushnjë, Dibër, Durrës dhe Rrogozhinë.
Por, ndryshe nga bashkitë e lartpërmendura, Vora do të kalojë edhe një “sfidë” tjetër: votimi elektronik.
(Albanianpost.com)