Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala përmes një komunikate për media ka përgëzuar aktorët, producentët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e filmit “Shok”, i nominuar së fundi për çmimin Oscar.
“Lajmi se filmi “Shok” është nominuar për çmimin më prestigjioz në fushën e kinematografisë, Oscar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kinematografinë dhe kulturën e Kosovës në përgjithësi”, shkruan ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me të mesuar lajmin se filmi “Shok” është nominuar për këtë çmim të madh që i bën nder artit dhe kulturës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Shala përgëzoi të gjithë ata që kanë ndihmuar për këtë arritje të rëndësishëm për filmin e Kosovës. Ministri Shala ka thënë se është optimist në suksesin e mëtejshëm të këtij filmi dhe të kinematografisë së Kosovës.
Në komunikatën e MKRS, thuhet se ministri Shala dhe MKRS-ja janë të përkushtuar që të krijojnë kushte më të volitshme për zhvillimin e artit kinematografik, duke krijuar lehtësira në planin e legjislaturës dhe të ndihmës financiare për zhvillimin e mëtejshëm të kinematografisë së Kosovës.
Ky film është një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë, me producent Eshref Durmishin e Harvey Ascott dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës.