Ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 përfundoi të dielën, pasi flaka olimpike, e cila qëndronte e ndezur prej 16 ditësh në Stadiumin Kombëtar, u shua.
Flaka, në një pishtar të vendosur në mes një kulle gjigante në formë fjolle dëbore, u shua gradualisht nën tingujt e këngëve të një kori fëmijësh. Kori kaloi nga kënga tematike e ‘’Pekin 2008″, “Unë dhe ti”, te ajo e “Pekin 2022”, “Fjolle e borës”, duke nxjerrë në pah arritjen historike të kryeqytetit kinez, si i pari qytet organizator i Lojërave Olimpike Verore dhe i Lojërave Olimpike Dimërore.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach i deklaroi zyrtarisht të mbyllura Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Pas më shumë se dy javësh konkurrimi në akull dhe borë, ekipi i Norvegjisë u rendit në krye të tabelës së medaljeve, duke fituar gjithsej 37 të tilla, përfshirë 16 medalje të arta. Gjermania doli e dyta me 27 medalje, 12 nga të cilat të arta. Kina, vendi organizator, fitoi nëntë medalje ari dhe 15 medalje gjithsej, duke arritur rezultatin e vet më të mirë deri më tani në olimpiadat dimërore.
Si veprimtaria e parë sportive globale që është mbajtur sipas planit që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, Lojërat Dimërore të Pekinit kanë rrëmbyer zemrat e njerëzve në mbarë botën.
Falë bashkëpunimit të plotë midis Kinës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe mbështetjes së fortë të të gjithë palëve, këto Lojëra, me pjesëmarrjen më të gjerë të sportistëve në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, arritën të kapërcejnë të gjitha sfidat, duke i paraqitur botës frymën e ngrohtë të bashkimit, që tani është pjesë përbërëse e motos olimpike.
Falë zbatimit të rreptë të parandalimit dhe kontrollit të pandemisë, bashkëpunimit të të gjithë sportistëve, si edhe përpjekjeve të stafit dhe vullnetarëve, në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit nuk pati vatra infeksionesh në asnjë nga të tre zonat e konkurrimit dhe as shpërthime të reja të epidemisë në qytetin mikpritës të olimpiadës.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 kanë ndryshuar “thelbësisht” sportet dimërore, tha të dielën presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, disa orë përpara ceremonisë së mbylljes së Lojërave.
Ato do t’i lënë botës një trashëgimi të sporteve të reja globale dimëror, tha Bach për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
“Sportet dimërore do të ndryshojnë rrënjësisht pas Lojërave Olimpike Dimërore ‘Pekin 2022’, me angazhimin e më shumë se 300 milionë kinezëve në sportet dimërore”, shtoi ai.
Lojërat Olimpike Dimërore 2022 janë Lojërat Dimërore më të ndjekura ndonjëherë, tregojnë të dhënat nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 gjithashtu arritën neutralitetin e karbonit për herë të parë [në historinë moderne olimpike], nëpërmjet masave të menaxhimit të lëshimit të ulët të karbonit, duke përfshirë përdorimin e energjisë me karbon të ulët, ndërtimin e objekteve me lëshim të ulët karboni, transportin me lëshim të ulët karboni dhe zyrat me karbon të ulët.
Kina përdori plotësisht trashëgiminë e Lojërave Olimpike të Pekinit 2008 dhe objektet e instalimet e tjera ekzistuese, kurse të gjitha stadiumet patën projektim të gjelbër dhe teknologji ndërtimi me standarde të larta. Objektet e sapondërtuara sportive të “Pekin 2022” synojnë gjithashtu arritjen e objektivit të një “Olimpiade Dimërore të gjelbër”, duke reduktuar ndikimin në mjedis që nga fillimi i projektimit.
Në Kinë numri i adhuruesve të sporteve dimërore ka ardhur duke u rritur që kur Pekini fitoi në vitin 2015 të drejtën e organizimit të Lojëra ve Olimpike Dimërore 2022, me entuziazmin e madh të publikut falë edhe ambienteve në rritje të akullit dhe borës, veçanërisht gjatë Lojërave.