Një punonjës policie humbi jetën mbrëmjen e djeshme pasi u qëllua aksidentalisht me armë zjarri nga një tjetër punonjës policie!
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 në fshatin Zllatar të Prishtinës, ndërsa jane siguruar pamjet nga vila ku u vra polici Lirim Haxholli.
Vila rezulton të jetë në pronësi të njërit prej punonjësve të policisë, të cilët ishin në vendngjarje dhe ndodheshin jashtë orarit të detyrës.
Autori i dyshuar është tashmë nën prangat e policisë, ndërsa ekspertët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe tashmë janë larguar!
Grupi hetimor ka nisur hetimet dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Inspektoratit policor të Kosovës:
Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar.
IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast./m.j