Udhëheqësi separatist në Ukrainën lindore ka urdhëruar mobilizimin e trupave.
Associated Press raporton se në Ukrainën lindore është urdhëruar një mobilizim i plotë ushtarak dhe ky lajm vjen pikërisht në një moment që SHBA dhe Presidenti Biden nuk heqin dorë nga bindja se një pushtim rus i Ukrainës mund të ndodhë brenda disa ditësh.
Denis Pushilin, kreu i qeverisë separatiste pro-ruse në rajonin e Donetskut, doli me një deklaratë të shtunën duke njoftuar një mobilizim të plotë të trupave ushtarake dhe i ka kërkuar rezervistëve që të paraqiten në zyrat e regjistrimit ushtarak.
Të premten, autoritetet separatiste në Donetsk dhe Luhansk njoftuan një evakuim masiv të grave, fëmijëve dhe të moshuarve.
Menjëherë pas nisjes së përpjekjeve për evakuim, disa shpërthime ndodhën në zonat e kontrolluara nga rebelët.
Pak dite me pare, Bashkimi Evropian e dënoi “fuqishëm” votimin e parlamentit rus për njohjen e rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si të pavarura.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së përsëriti mbështetjen e “palëkundur” të bllokut evropian për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda “kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.
Ushtria ukrainase ka reaguar këtë të shtunë dhe tha se kishte regjistruar 12 shkelje të armëpushimit nga separatistët pro-rusë në lindje të vendit.
Por këto 12 shkelje të armëpushimit kanë ndodhur vetëm të shtunën në mëngjes tha ushtria ukrainase, pas 66 rasteve të tjera të regjistruara gjatë të premtes.
Separatistët hapën zjarr në më shumë se 20 vendbanime, duke përdorur artileri të rëndë, të cilat janë ndaluar nga marrëveshjet e Minskut, shkruan ushtria ukrainase në faqen e saj në Facebook.
Misioni Special i Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë në një deklaratë të lëshuar të premten foli për “një rritje dramatike” të shkeljeve të armëpushimit gjatë ditëve të fundit.
g.kosovari