Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden shprehet i bindur se Rusia do ta pushtojë Ukrainën. Ndërsa thekson se nuk është vonë për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave. “Që nga ky moment, jam i bindur se ai e ka marrë vendimin”, tha Biden në një konferencë për mediat nga Shtëpia e Bardhë, duke iu referuar presidentit rus.
Sipas Bidenit, ka pasur një rritje të dezinformatave ruse, gjë e cila mund të përdoret që mund të përdoret si pretekst për një pushtim në Ukrainë, transmeton CNN.
Duke folur në një konferencë të pak minutave më parë nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se akuzat ruse se Ukraina po planifikon të nisë një sulm në Donbasin e kontrolluar nga separatistët, nuk qëndrojnë.
“Kjo është në përputhje me skenarin rus të cilin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë paralajmëruar për javë të tëra”, theksoi Biden. Presidenti amerikan paralajmëroi për “sanksione të rënda” ndaj Rusisë nëse pushtohet Ukraina.
“Ne kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë dhe synojnë të sulmojnë Ukrainën në javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha presidenti Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia do të synonte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin.
Ndërkohë, vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se po përpiqet të organizojë një krizë të rreme në rajonet separatiste lindore të Ukrainës për t’i dhënë arsye për të nisur ofensivën ushtarake. SHBA vlerëson se ka 169,000 deri 190,000 trupa ushtarak rusë të grumbulluar në kufi.
g.kosovari