Gjykata e Tiranës ka dënuar me 21 vjet burg Izet Haxhinë, si bashkëpunëtor në vrasjen e “liderit të Dhjetorit”, Azem Hajdari në vitin 1998. Dëshmitë për atë ngjarje kanë qenë të shumta ndër vite dhe shumë të vërteta për “ngjarjet e Tropojës” nuk janë zbardhur ende plotësisht. Një dëshmi interesante për ngjarjet e atyreve viteve është rrëfimi i Ismet Haxhisë, vëllait të Izetit.
Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes” të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, situatën e vështirë në vitet 1997-1999 në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetë Haxhia u lirua nga burgu në vitin 2016 dhe ju rikthye jetës normale. GSH.al po sjell sot pjesën e gjashtë nga “dosja Tropoja”, një rrëfim për vrasjen e Skënder Nezës, ngjarje për të cilën Ismeti thotë se thashethemet bënin përgjegjës atë vetë dhe vëllain e tij, Izet Haxhinë.
Fillimi i vitit 1999, me dyndjen e kosovarëve nga eksodi i dytë masiv,më i madhi dhe përfundimtari i shënuar në ato kohëra lufte, kishte tërhequr vëmendjen e të gjitha strukturave shtetërore. Kjo klimë e krijuar ndikoi shumë në krijimin e situatës kriminale në zonën verilindore të Shqipërisë. Shpesh dëgjohej të flitej për lloj-lloj grabitjesh në këtë zonë, por zakonisht më të bujshmet vazhdonin të ishin ato që kryheshin nga policët e komisariatit tonë, gjë që për shumë për atë pjesë të inkriminuar nuk do të përbënte ndonjë lajm të keq. Në njërën nga këto ditë, një polic i komisariatit tonë, në bashkëpunim edhe me një person tjetër, kontingjent i policisë, grabisin makinën e një punonjësi të OSBE-së, teksa po udhëtonte në qytetin e Fierzës.
Punonjësi njofton menjëherë qendrën e tij në Tiranë për rastin. Këta të fundit, vetëm në pak minuta njoftuan ministrin e Rendit Publik. Në Tiranë ishin vënë në alarm, pasi grabitja e makinave të huaja ishte bërë shumë shqetësuese. Ne na urdhëruan nga ministria që me çdo kusht të bllokohej mjeti i grabitur, si dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të ndaloheshin nga policia. Ne njoftuam menjëherë komisariatet e policisë së Pukës dhe Hasit për të ngritur postblloqe për këtë qëllim, të paktën në rrugët kryesore.
Thirrëm shpejt disa forca policore, te të cilat kishim pak besim dhe ngritëm postblloqe në të gjithë linjat e brendshme të rrethit. Policët i porositëm që të armatoseshin mirë,pasi grabitësit na ishte thënë se ishin të armatosur. Unë së bashku me një polic të qarkullimit rrugor u vendosëm në qendrën e Rragamit, 10 km nga qyteti, pasi sipas informacionit që morëm, grabitësit ishin futur në disa rrugë rurale, nga fshati Pla, rrugë të cilat të nxirrnin në Komunën e Pacit. Pas rreth dy orësh me njoftojnë me radio policie se e kishin parë makinën të vinte me shpejtësi nga drejtimi Pac-B.Curri. Makina pritej të kalonte aty ku isha vendosur unë, nëse grabitësit nuk ishin njoftuar për vendndodhjen time.
Komunikimi me radio policie na e dekonspiroi aksionin tonë, pasi edhe grabitësit ishin të pajisur me radio të tilla. Ne kishim vendosur të mos komunikonim me radio, me qëllim që të mos dekonspiroheshin veprimet tona. Por dikujt nga efektivi ynë i interesonte të mos kapeshin grabitësit. Të informuar, grabitësit devijuan rrugën duke u futur në një rrugë dytësore dhe dolën në fshatin Dunishe, ku e kishte shtëpinë njëri nga grabitësit e makinës. Unë qëndrova edhe për pak minuta aty, deri sa më njoftuan për t’u kthyer në komisariat, pasi kishin pare devijimin e makinës.
Gjatë rrugës së kthimit, gjeta te po ktheheshin drejt qytetit edhe dy makina me gazetarë të huaj dhe lëvizëm së bashku, duke krijuar një autokolonë të vogël. Poshtë pularisë së qytetit u ndodhëm përballë një makine tip “Mitsubishi Pajero”, pronarin e së cilës e njihja. Makina po ecte me shpejtësi marramendëse. Unë në përpjekje për t’ju shmangur një përplasje të mundshme, nuk munda të dalloja se kush ishte në timonin e makinës. Ngjitur me makinën nga mbrapa, me po kaq shpejtësi, vinte një “Benz” i bardhë, të cilin arrita ta shikoj vetëm nga prapa, pasi ai kaloi, duke mos pasur mundësi të shikoja personat që udhëtonin me të.
E pyeta policin që më shoqëronte, nëse i kishte njohur. “Me makinën e parë ishte Skënder Neza, ndërsa në të dytën nuk pashë gjë, pasi isha përqendruar tek e para”. Pas gjysmë ore, në tërë qytetin u përhap lajmi se kishin vrarë Skënder Nezën. Vrasësit, pasi kishin arritur t’i parakalonin në afërsi të Sopotit, e kishin qëlluar për vdekje. Pak orë më parë ishte përhapur lajmi se këtë vrasje e kisha kryer unë së bashku me vëllain tjetër Izetin, i cili në atë kohë kishte qenë në Turizmin e qytetit në prani edhe të disa personave të tjerë.
Ne nuk dinim asgjë rreth kësaj thashethemnaje të rrezikshme, por të pasnesërmen, daja i viktimës, me të cilin rrija shpesh, më fton për kafe. Ai me buzët që i dridheshin më thotë: “Nuk e dija se do të pinim më kafe bashkë. Pse?”, e pyeta unë, duke e ndjekur me vëmendje dhe paksa i habitur nga kjo që dëgjova në atë moment. “Pas vrasjes së Skënderit, të cilin unë e kam nip (nënën e viktimës e kishte vajzë xhaxhai), u hap lajmi së e kishit vrarë ti dhe vëllai yt. Unë – vazhdoi ai – sot mësova së vrasjen e kishte kryer dikush tjetër, pikërisht nga persona që e kanë parë dhe e kanë njohur mirë vrasësin. Tani – shtoi ai – unë jam i qetë edhe për faktin se nuk e humba një shok”. Mua dhe vëllain tim na tronditi shumë ky fakt, pasi kurrsesi nuk mund të kryenim një vrasje të tillë, pa pasur asnjë lloj motivi. Rreth një muaj e gjysmë më pas, në mes të Tiranës vritet edhe vëllai i Skënderit, i cili banonte në të njëjtin pallat me vëllain tim, Isamedinin.
Përsëri gojët e liga përhapin lajmin tjetër, të ngjashëm me të parin, që ngarkonte me përgjegjësi vëllain tim edhe për këtë vrasje. Për fat, edhe për ketë rast nuk do të mund të na implikonin, pasi pikërisht në orën që ishte kryer vrasja, vëllai kishte dërguar në spital një komshiun e tij të sëmurë rëndë. Gruaja e komshiut të sëmurë, pasi e mëson ketë fakt, jep alarmin, duke e demaskuar këtë thashethem të fëlliqur, e të qëllimshëm. Kjo që po ndodhte me ne vëllezërit nuk ishte thjesht në kuadrin e një thashethemnaje që lindin për shkak të ndonjë dyshimi, sado i vogël qoftë. Qëllimi ishte shumë më i thellë, e shumë më dashakeq.
Ata kërkonin që familjen tonë ta fusnin në vallen e krimit, ashtu siç kishte ndodhur me disa prej familjeve më të mira tropojane në ato kohë. Futja jonë në një serial të mundshëm vrasjesh të kontrolluara, pikërisht nga ata që po sajonin dhe përhapnin një disinformacion të përpunuar mirë, kërkonin të na vinin nën kontroll e të na menaxhonin më lehtë për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale madhore. Ne, duke e studiuar me kujdes këtë situatë, do na ndikonte në të ardhmen për të kuptuar më mirë situata të ngjashme, të cilat do të përsëriteshin shpesh në forma edhe me të sofistikuara. Në muajt që do të pasonin, do na servireshin lloj-lloj skenarësh, që gjoja herë synonin vrasjen tonë, e herë të tjerëve, gjithmonë duke na shfrytëzuar neve./m.j