Kompania përmbarimore EPSA ka nxjerrë në ankand tokë buke, pronë e kompanisë Tel Mak, me vlerë 766 mije euro për një kredi të pakthyer ndaj Raiffeisen Bank. Toka e ndarë në dy parcela njëra 950 metër katror me vlerë 132,8 mijë euro dhe tjetra me sipërfaqe 5600 metër katror me vlerë 643.7 mije euro ndodhen në fshatin Muçaj në Tiranë.
Kompania TEL –Mak është regjistruar si biznes në vitin 2001 më aktivitet në prodhim rrjete teli, dhe artikujve te ndryshëm, import-eksport. Kompania sot është edhe në listën e tatimpaguesve të këqinj të tatimeve, ndaj të cilës ka nisur arkëtimi i detyrimeve me forcë.
Në qershor të vitit që shkoi tatimet depozituan ne QKR kërkesën për vendosje barre sigurie mbi titujt e pronësisë: Ku kërkohen të mos lejohen të kryhen tjetërsime mbi titujt e pronësisë përfshi edhe shitblerje aksionesh në emër të subjektit “TEL – MAK”, deri ne shlyerjen e detyrimeve tatimore.
Por përmbaruesit nga ana tjetër kanë vënë në sekuestro pronat e kompanisë dhe kanë nisur shitjen e tyre për llogari të Raiffeisen Bank.
Kur një kompani ka borxhe ndaj të tretëve të parët në radhe që përfitojnë nga arkëtimi i tyre janë tatimet.
Sakaq aktiviteti i shoqërive përmbarimore është rritur kohët e fundit për shkak të lumit të kërkesave të lëshuara nga bankat tregtare për ekzekutimin e kolateraleve të lëna peng për kreditë e pakthyera në banka.
MONITOR